Gjykata Speciale ndan deputetët e Kosovës

E publikuar: 28/05/2015 14:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Speciale pritet të votohet nesër në Kuvendin e Kosovës ndërsa një numër i deputetëve kanë dyshime për të ardhmen e kësaj gjykate.

Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje tha për KALLXO.com se një gjykatë e tillë në vend të drejtësisë sjell padrejtësi, ndërsa komentoi edhe vendimin e djeshëm për dënimin e grupit “Drenica”.

“Ajo çfarë ndodhi dje nuk ka të bëjë fare me drejtësinë, nuk ka të bëjë fare me ligjin; ky është një verdikt komplet joligjor i pambështetur në asnjë fakt, është një shembull se çka asnjëherë nuk duhet të bëjë drejtësia” u shpreh Selimi.

Por Sadri Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron se nuk është befasi fakti që Gjykata Speciale duhet të votohet, sipas tij nuk ka alternativë tjetër.

“Gjykata do të votohet në mungesë të alternatives”, u shpreh Ferati

Sipas tij për rastin “Drenica” dënimet janë të mëdha por ai nuk mund ta dijë nëse ka pasur trupa të anshëm në Gjykatë.

“Akoma e ka fjalën Drejtësia para se ne të themi a ka drejtësi në këtë rast apo nuk ka” u shpreh Ferati.

Deputetja Ganimete Musliu nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës thotë se Gjykata Speciale nuk duhet të votohet, pasi që sipas saj, kjo është një Gjykatë politike.

“Konsideroj që ky vendim duhet të rishqyrtohet e them pa dashur të ndikojë në vendimet e Gjykatës ajo çka u tha dje nga avokatët është e mjaftueshme për të dhënë një mendim të drejtë për çështjen e kemi vetëm një dëshmitar në rastin Lushtaku dhe në drejtësi një dëshmitarë është barabartë me zero”, u shpreh Musliu.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak Duda Balje tha për KALLXO.com se nuk e sheh të arsyeshme krijimin e një Gjykate të tillë.

“Si është mundur që të krijohet një Gjykatë Speciale për Kosovën e në anën tjetër nuk është krijuar për Srebrenicën në Bosnje – edhe sot e kam një mendim negativ për këtë çështje”, u shpreh Balje.

Për rastin” Drenica”, Balje tha se nuk është kompetente për të thënë nëse është vendim i drejtë apo sipas saj vendimi i Gjykatës mbetet vendim.

Donika Kadaj Bujupi Shefe e Grupit Pralamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se Aleanca nuk do të votojë për Gjykatën Speciale pasi që sipas saj kjo është në kundërshtim me kushtetutshmërinë e Kosovës.

Ndërsa për rastin “Drenica” ajo nuk komentoi shumë, Kadaj Bujupi tha se Ushtria Clirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër .

“Të gjitha përpjekjet për të njollosur këtë luftë janë të padrejta sepse dihet që Serbia ka qenë agresori”, u shpreh Kadaj Bujupi.

Më herët, ministri i Jashtëm Hashim Thaçi është shprehur se gjykata duhet të krijuar për të “pastruar luftën”.

Gjykata speciale pretendohet të formohet për të gjykuar të dyshuarit për krime lufte dhe do të jetë zyrtarisht pjesë e sistemit të drejtësisë së Prishtinës, por do të punojë në mënyrë të pavarur, me gjyqtarë të emëruar nga misioni i BE-së në Kosovë.

Thuhet se kjo gjykatë do të zë vend në Holandë. kallxo.com