Gjykata nuk shpalos pjesët konfidenciale në rastin e veteranëve të rrejshëm

E publikuar: 14/03/2019 12:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata s’e miratoi kërkesën e mbrojtësve duke thënë se do të lexohet aktakuza e tërë, mirëpo shtojca e cila mban të dhëna konfidenciale për të akuzuarit do të jetë e mbyllur për publikun përfshirë këtu edhe mediat, raporton Gazeta Express.

Mbrojtësit në seancën që po mbahet për mashtrimet në listat e veteranëve kanë kërkuar që të mos lexohet aktakuza e plotë e përgatitur nga Prokuroria Speciale.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që vetëm pjesa që llogaritet se ka pjesë konfidenciale të jetë e mbyllur për publikun dhe mediet.

Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur seanca për fryrjen e listave me veteranë të rrejshëm, aktakuzë e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës vitin e kaluar.

Prokuroria Speciale e Kosovës, sot ka kërkuar nga Gjykata që të lëshohet urdhër arrest për dy të akuzuarit që kanë munguar në seancën e sotme, Ahmet Dakun dhe Xhavit Jasharin.

Mirëpo, Gjykata e ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorisë dhe ka vendosur që lënda të veçohet për këta të dy të akuzuar.

Gjyqtarja Nushe Mekaj ka thënë se për Xhavit Jasharin e kanë vërtetuar se ka udhëtuar për në Austri më 7 mars, pasi e ka një familjare në gjendje të keqe shëndetësore.

Ai ka udhëtuar përmes pikës kufitare në Vermicë. Gjyqtarja ka thënë se ai kishte kërkuar që seanca të shtyhet pasi nuk gjendjet në Kosovë.

Në seancën e sotme është paraparë që të vendoset lidhur me masën e përkohshme të ndalimit të pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.