Gjykata në Prishtinë jep detaje lidhur me dënimin e Shukri Bujës

E publikuar: 05/11/2018 17:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje shtesë lidhur me aktgjykimin kundër të akuzuarve Shukri Buja dhe nëntë të tjerëve.
Sipas gjykatës, Buja është shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe është dënuar me tre vite burg, raporton lajmi.net.

Ndërsa, i akuzuari N.Z është shpallur fajtor për veprën penale të kryer në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vite e 6 gjashtë muaj.

“I akuzuari H.G është shpallur fajtor për veprën penale në bashkëkryerje Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit mund të zëvendësohet në dënim me gjobë, dhe atë në shumën prej 3,500 euro.

I akuzuari E.R është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit mund të zëvendësohet në dënim me gjobë dhe atë në shumën prej 3,500 euro. I akuzuari H.V është shpallur fajtor për veprën penale Marrja e Ryshfetit dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 muaj.

I akuzuari B.R është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muaj, i cili dënim me pëlq imin e të akuzuarit mund të zëvendësohet në dënim me gjobë, dhe atë në shumën prej 3,500 euro.

E akuzuara M.S për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, i akuzuari F.R për veprën penale Punimet ndërtimore të kundërligjshme dhe të akuzuarit D.A dhe B.K për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar janë liruar nga akuza për shkak se Gjykata nuk ka gjetur prova se të njëjtit kanë kryer veprat penale për kryerjen e të cilave janë akuzuar.

Gjykata ka marrë aktgjykim refuzues për të akuzuarin SH.B për tri pika të aktakuzës sa i përket veprës penale të kryer në vazhdimësi, si dhe në bashkëkryerje Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, për një pikë të aktakuzës sa i përket veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për veprën penale Ushtrim ndikimi, për të akuzuarin N.Z për një pikë të aktakuzës sa i përket veprës penale të kryer në vazhdimësi si dhe në bashkëkryerje Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, për të akuzuarin F.R sa i përket veprës penale Dhënie ryshfeti, për shkak se ka ardhur deri te parashkrimi relativ dhe absolut i ndjekjes penale”, thuhet në komunikatë.

Gjykata thotë se palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Lajmi.net/