Gjykata izraelite e dënon palestinezin 14-vjeçar me 12 vjet burg për sulm me thikë ndaj izraelitëve

E publikuar: 07/11/2016 16:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një gjykatë në Izrael e ka dënuar një palestinez 14-vjeçar me 12 vjet burg, nën akuzat për rolin që ka luajtur në sulmin me thikë, në të cilin u plagosen dy izraelitë, në tetor të vitit të kaluar.

Djaloshi, i quajtur nga zyrtarët palestinezë si Ahmed Mansara, e kreu sulmin në një vendbanim izraelit në veri të Jerusalemit, bashkë me kushëririn e vet 15-vjeçar, transmeton Express.

Kushëriri i tij ishte qëlluar për vdekje nga një kalimtar izraelit, ndërsa Mansara ishte plagosur.

Sulmuesit e plagosen rëndë një izraelit 12-vjeçar i cili po ngiste biçikletën në momentin e sulmit, si dhe një burrë, i cili kishte marrë lëndime të lehta. Të dy janë shëruar plotësisht.

Në atë kohë, incidenti kishte shkaktuar polemika të mëdha sepse autoritetet palestineze akuzuan Izraelin për vrasjen e të dy sulmuesve. Por, më vonë u zbulua se Manasra ishte plagosur dhe po trajtohej në një spital izraelit./Express/