Gjykata e Sporteve anulon sanksionet ndaj 28 atletëve rusë

E publikuar: 02/02/2018 06:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Arbitrazhit për Sportet e mbështeti një kërkesë apelimi të 28 atletëve rusë, ndaj të cilëve ishin vendosur sanksione nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, për shkak të akuzave për përfshirje në një skemë dopingu në Lojërat Olimpike të Soçit në vitin 2014.

Gjykata tha se nuk kishte të dhëna të mjaftueshme që atletët të kenë përdorur doping.

“Kjo nuk do të thotë që këta 28 atletë janë deklaruar të pafajshëm, por për shkak të fakteve të pamjaftueshme, apelimi i tyre qëndron, sanksionet anulohen dhe atyre u njihen përsëri rezultatet individuale të arritura në Soçi .”– tha Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës së Arbitrazhit.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar tha pas vendimit se 28 atletët që fituan apelin nuk do të ftohen të marrin pjesë në Lojrat Olimpike këtë muaj në Korenë e Jugut.

Komiteti shprehu keqardhje për vendimin e Gjykatës, duke thënë se “ai mund të ketë ndikim serioz në luftën kundër dopingut në të ardhmen.”

Për 11 atletë të tjerë, të cilët gjithashtu i kishin apleua sanksionet, Gjykata e Arbitrazhit për Sportet tha se kishte fakte të mjaftueshme për përdorim të dopingut prej tyre.