Gjykata e mbyll seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre të arrestuarve për rastin Ivanoviq

E publikuar: 24/11/2018 12:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, nuk i është lejuar të monitorojë seancën për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarve për vrasjen e ish liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Monitoruesit e BIRN, ishin në Pallatin e Drejtësisë, por nuk u lejuan të futen brenda.

Në një bisedë telefonike gjyqtari i çështjes paraprake Arben Hoti, tha se në këto seanca nuk lejohet monitorimi.

“Kjo është seancë paraprake, në këto seanca nuk lejohet monitorimi, përfaqësuesit e EULEX-it i kemi lënë për shkak të mandatit që e kanë“, tha Hoti për kallxo.com

Dje gjatë ditës janë arrestuar tre persona në dyshimet se janë të përfshirë në veprën penale ,,Vrasje e rëndë”, kurse një (1) person tjetër është arrestuar sepse ka rezistuar dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kontrollit dhe arrestimit të të dyshuarve për rastin në fjalë.

Për vrasjen e Oliver Ivanoviq sipas Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë është i dyshuar edhe nën kryetari i listës serbe Milan Radoiçiq, i cili pas bastisjes së shtëpisë së tij nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës nën mbikëqyren e Prokurorisë Speciale nuk është arrestuar.