Gjuriqi njofton për 2 të infektuar të rinj në komunat serbe

E publikuar: 09/04/2020 21:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka njoftuar përmes llogarisë së tij në Facebook se në 24 orët e fundit në komunat serbe të Kosovës janë regjistruar edhe 2 të prekur me koronavirus, duke e çuar kështu numrin e serbëve të infektuar në Kosovë në 38 (37 raste aktive pasi një person ka vdekur).

Të infektuarit e rinj janë njëri nga Zubin Potoku e tjetri nga Leposaviqi. Sipas Gjuriqit, pacienti nga Zubin Potoku është dërguar në Qendrën Studentore, kurse pacienti nga Leposaviqi është dërguar në Qendrën Mjekësore në Mitrovicë të Veriut, i cili është edhe punonjës i kësaj qendre mjekësore, raporton KOHA.

Ai bëri me dije po ashtu se gjatë vikendit, në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan nuk lejohet fare qarkullimi, për dallim prej ditëve tjera që do të ketë ndalim qarkullimi nga ora 12:00 deri në orën 6:00.

Ndërkaq më herët gjatë ditës, Gjuriqi u ka bërë thirrje serbëve të Mitrovicës Veriore dhe të Zveçanit që t’i respektojnë masat për ndalim qarkullimi nga ora 12:00 deri në orën 6:00.

Në një prononcim për “Radio Beogradin”, Gjuriqi tha se Beogradi ia ka dalë që t’u dërgojë serbëve në Kosovë 250 kamionë me ushqime e nevoja themelore dhe se në Mitrovicë të Veriut është hapur edhe spitali i përkohshëm për të sëmurët lehtë në Qendrën e Studentëve, raporton agjencia serbe e lajmeve “FoNet”.

I pyetur se kush i merr masat për kontrollin e epidemisë në veri të Kosovës, Kosova apo Beogradi, Gjuriqi tha se serbët në Kosovë kanë “një nënë të vetme – e ajo është Serbia”, duke iu shmangur kështu pyetjes.

Ai tha se “gjendja e jashtëzakonshme nuk njeh barriera etnike apo administrative” dhe se institucionet serbe bashkëpunojnë me ato shqiptare, ndërsa shtoi se Beogradi i ka nxitur ata që të shkëmbejnë informacione dhe të bashkëpunojnë me të gjithë aktorët.

“Para disa ditësh, kryetari i pjesës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, në urën kryesore të qytetit u takua me kryetarin e pjesës jugore të qytetit, dhe unë këtë e kam përkrahur sepse mendoj që në këtë moment është shumë e rëndësishme që të ketë bashkëpunim të ngushtë”, u shpreh ai.

Gjuriqi tha gjithashtu se s’do të arrihet asgjë nëse epidemia kontrollohet në zonat serbe, ndërsa në ato shqiptare përhapet e pakontrolluar.