Gjuriq: Shitja e Brezovicës s’guxon t’i rrezikojë interesat e serbëve

E publikuar: 14/04/2015 10:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Marrëveshja e cila do të nënshkruhet nga Qeveria e Kosovës, me investitorët francezë për shitjen e qendrës turistike “Brezovica” do të jetë krejtësisht e pavlefshme, në rast se me të rrezikohen interesat e serbëve në rajonin e Malit Sharr, ka thënë drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.

Ai për “Kurir” të Beogradit ka deklaruar se marrëveshja do të jetë e kotë, në rast se para afatit, të paraparë për fillimin e realizimit të saj, nuk ofrohen përgjigje të kënaqshme në pyetjet të cilat për serbët e rajonit të Sharrës janë me rëndësi kyçe.
“Pa përgjigje të kënaqshme ndaj atyre pyetjeve, marrëveshja s’do të mund të realizohet në praktikë, ndërsa kompanitë e interesuara për investim dhe aksionarët e tyre, në vend të profitit, do t’i nënshtroheshin humbjeve milionëshe, në punë larg Malit Sharr dhe dëmeve të pandreqshme për autoritetin e tyre”, ka thënë Gjuriq.

Qeveria e Kosovës dhe konzorciumi francez “MDP Consulting – Compagnie des Alpes” pritet që sot duhet nesër të nënshkruajnë marrëveshje për realizimin e Projektit për zhvillimin e qendrës turistike “Brezovica”, të vlefshëm 409 milionë euro.

Përveç ndërtimit dhe zhvillimit të qendrës turistike, kontrata parasheh që kompania franceze të hapë 3000 vende pune.