Gjuriq: Mitrovica është Serbi dhe Serbia do të mbetet në Mitrovicë

E publikuar: 03/04/2015 00:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Zyrës së Qeverisë serbe për Kosovën Marko Gjuriq ka deklaruar se problemi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit ka ndodhur për shkak të mos respektimit të dinamikës.
Ai konsideron se Serbia i ka përmbushur të gjitha detyrimet e veta, ndërsa Prishtinës i kanë mbetur për realizim 6 pika të Marrëveshjes.

“Prishtinës i kanë mbetur ende për zbatim gjashtë pikat e para të Marrëveshjes së Brukselit. Kemi situatë absurde që Serbia ka zbatuar të gjitha pikat, nga 7 deri në 15, e 6 pikat e para as që janë prekur pasi Prishtina nuk i zbaton”, ka thënë Gjuriq, transmeton B92, përcjell Koha.net.

Ai ka thënë se Serbia s’e ka ndër mend të heqë dorë nga krijimi i Asociacionit serb të komunave duke shtuar se ky asociacion është rrugë për normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve ndërmjet serbëve e shqiptarëve.

Gjuriq ka pasur sot takim me prefektët dhe me kryetarë e të ashtuquajturve organe të përkohshme në Kosovë dhe atyre u ka thënë se Mitrovica është Serbi dhe Serbia do të mbetet aty.