Gjuriq: Fantazojnë për pranimin e Kosovës shtet

E publikuar: 23/03/2015 16:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se populli nuk duhet të ushqehet me iluzione se Kosova do të pranohet nga ana e Serbisë.

Por siç tha ai kjo nuk do të thotë se banorët e Kosovës si serbët e po ashtu edhe shqiptarët nuk duhet të jetojnë së bashku.

Gjuriq këtë deklaratë e ka thënë duke iu kundërvënë ministrit të jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë për mediat austriake se beson që Serbia edhe zyrtarisht do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Sipas Gjuriqit, kjo që po fantazojnë se Serbia do ta njohë Kosovën është papjekuri politike.

“Rruga për normalizim është e pakthyeshme, por këto fantazi janë papjekuri politike dhe tërheqje vëmendje nga problemet e vërteta në Kosovë që janë papunësia, korrupsioni dhe marrëdhëniet e këqija ndëretnike”, ka thënë Gjuriq.

Në një intervistë për agjencinë APA, ministri Hashim Thaçi, ka thënë se beson që në një të ardhme të afërt Serbia do ta pranojë Kosovën shtet.

“Kjo nuk do ndodhë nesër, por në një të ardhme të afërt po. Prania e Serbisë dhe Kosovës në BE dhe pranimi i Kosovës shtet do të jenë lidhura”, ka thënë Thaçi për APA. /KP/