Gjuriq e mbështet hapur kontrabandën në pjesën veriore të Kosovës

E publikuar: 29/06/2019 14:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i të ashtuquajturës, “zyrë për Kosovën”, në qeverinë e Serbisë, nëpërmjet një deklarate ka përkrahur hapur kontrabandën në veri të Kosovës.

Marko Gjuriq ka akuzuar Kosovën se po e bëjnë të pamundur furnizimin me mallra të serbëve të veriut.

Ai është shprehur se Kosova ka krijuar një “atmosferë të pamundur”, në të cilën tha ai “xhirohen njerëzit” të cilët organizojnë furnizimin me ushqim në veri të Kosovës,transmeton Lajmi.net.

“Dy javë më parë, në Leposaviq, u qëllua nga një armë automatike në një kamion që transportonte ushqimet bazë dhe pak ditë më parë policia kufitare sulmoi shoferin dhe u përpoq t’ia merrte mallrat që po transportonte nga Zveçani në Mitrovicë”, tha Gjuriq.

Duke komentuar mbi incidentin në takimin e CEFTA-s në Vlorë të Shqipërisë, kur përfaqësuesit u përplasen mes vete, Gjuriq e ka quajtur si një “shpërthim shovinist”.

Por, pas kësaj deklarate, Gjuriq nuk ka rreshtur së përkrahuri kontrabandën në pjesën veriore të Kosovës.