Gjithҫka filloi keq në Kosovë

E publikuar: 05/03/2020 16:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ҫdo shqiptar mezi po priste që të përfundonte lufta dhe të kthehej në Kosovë. Nuk ishte me rëndësi se a do t’i kishe as gjërat elementare për jetesë, si ujin dhe bukën. Me rëndësi ishte që prapë do ta shkelje atdheun tënd, të cilin, me fillimin e luftës, asnjë shqiptar jashtë Kosove nuk besonte se do ta shkelte më, kurse ata të cilët ndodheshin brenda nuk ishin të sigurtë se do të mbijetonin, dhe ҫdo ditë e re për ta ishte një befasi e tmerrshme.
Por, papritmas një ditë lufta mbaroi. Krejt shqiptarët e larguar, me forcë apo me vetdëshirë, filluan ta vërshojnë përsëri Kosovën.Të gjithëve na kishte kapluar një eufori dhe një shpresë e paspjegueshme fëmijërore se të gjithë pa dallim tash e tutje do të jetonim të lirë dhe do të kishim shumë perspektivë. Mirëpo, athua a ishte reale kjo eufori dhe ҫka ndodhi me ato shpresa të ҫiltërta, të cilat vit pas viti filluan të shuhen, për të kaluar më vonë në një zhgënjim të thellë popullor. Në fakt, asgjë nuk doli ashtu siҫ e paramenduam. Për më keq, mos ndodhi ndonjë shpërlarje e trurit të cilën tek më vonë do ta kuptojmë.
Kryesore, gjithҫka ndryshoi paslufte, e madje edhe shoqëria e vjetër në Prishtinë.
E kishim shpesh zakon paralufte të pinim kafe me aktorin e madh Bekim Fehmiun, humoristin Lecin dhe me disa miqë tjerë që në atë kohë konsideroheshin si elitë e shoqërise. Por, pasi që paslufte Prishtina përnjëherë u vërshua nga shumë njerëz prej të gjitha anëve të Kosovës dhe disi u pështjelluan punët, mezi u bëmë bashkë përsëri për një kafe me Lecin dhe me Bekimin. Dhe, përderisa ishim duke biseduar e pak të hutuar nga gjithë ata njerëz të panjohur në Prishtinë, e vërejta Lecin, tashmë të ndjerë, se u ngritë papritmas në këmbë dhe me përulje e me plot respekt e përshëndeti një person, që sipas tij ishte një komandant i dalluar i luftës, e i cili edhe sot e kësaj dite mban poste të larta në qeveri. Se a e pati vërtetë nga respekti apo nga frika, kurrë nuk kam arritur për ta kuptuar, por asnjëherë më parë Lecin nuk e kisha pa më të nënshtruar. Madje unë u pata tallë me te, duke e qortuar se si ai, i ulur pranë yllit ndërkombëtar të filmit, Bekim Fehmiut, po ngritej në këmbë për ta përshëndetur një lloj komandanti, i cili, i shoqëruar edhe me disa komandanta tjerë, sillej jo sikur ta kishte ҫliruar Kosovën, por krejt botën. E shumë më modest dukej tashmë i ndjeri Bekimi, edhe pse veҫ kaherë i kishte pushtuar majat e kinematografisë botërore.
Dhe, as sot e kësaj dite nuk kam arritur ta kuptoj se pse Leci aq shpejt ishte dorëzuar para trimave që na paskan ҫliruar. Por, për ҫudi, shumë shpejt e pashë edhe veten dhe të gjithë intelektualët e dikurshëm të nënshtruar, sepse nuk kishim zgjidhje tjetër, meqë „luftëtarët“ u bënë simbol i forcës dhe tmerrit për ҫdo qytetar dhe kështu edhe jetërat tona na i robëruan. E kjo periudhë fatkeqësisht zgjati shumë, deri në ditët e sotme, kur të gjithë u dorëzuam.
Më kujtohet edhe një detaj i asaj kohe, e të cilin truri im nuk kishte mundësi me e akceptuar. Pra, në ditët e para të pasluftës, një kolege e imja, mjeke me profesion, që mezi e paguante qiranë në një shtëpi private ku jetonte e vetme me dy fëmijë të vegjël, pasi që burrin e kishte dërguar jashtë vendit për të magjistruar, më lajmëroi e trishtuar se një komandant i tillë shumë i respektuar, iu kishte futur me dhunë në shtëpi me disa luftëtarë tjerë dhe i kishte dhënë afat 12 orë për t’ia liruar atë shtëpi, edhe pse pronari i shtëpisë ishte një shqiptar që jetonte në Gjermani. Porse, komandanti i kishte thënë se ai kishte luftuar andaj dhe kjo shtëpi, edhe pse ishte e huaj, i takonte atij. Edhe ky komandant, sot e kësaj dite mban pozita të larta në qeverinë e Kosovës.
Dhe kështu, shumë persona që madje edhe vetëm pse ishin fotografuar paslufte me uniformën e UҪK-së për të përfituar nga situata e re e krijuar, filluan gjithҫka për të gllabëruar. Kurse populli vetëm shuante dhe secili mundohej ta ruante kokën e vet. Pra, kështu duruan qytetarët për disa vite, e pastaj filluan kah sytë këmbët të ikin, dikund sa më larg Kosove për ta ҫliruar shpirtin. E ku mbetën ëndërrat? U desh që ҫdo njeri normal të shpërngulet dhe vetëm nga jashtë ta ëndërroj Kosovën si një parajsë të imagjinuar, meqë realiteti ishte shumë i hidhur për ta pranuar.
Me kohë, nën udhëheqjen e krahut të luftës, Kosova filloi të fundosej në ҫdo aspekt, ҫdo vit thellë e më thellë. Që nga paslufta, klasa politike nuk arriti që të siguronte për popull as rrymë, as ujë, as siguri, as punë. Dhe më e keqja, ky vend rrëshqiti shumë shpejt në anarki. Madje, kur këta luftëtarë nuk mujshin më aq hapur me plaҫkitë e me vrarë, i instaluan krejt kriminelët e vet nëpër institucione shtetërore dhe kështu edhe më shlirë, në emër të ligjit, vazhduan të na mbysin ҫdo ditë e më mirë.
Kështu që, në popull u shua besimi se luftëtarët kishin luftuar për ideale, por për t’u krekosur para qytetarëve. Në fakt, ata na mbajtën peng me vite të tëra e madje ndaj tyre, deshe apo s’deshe, duhej të kishe respekt, më tepër nga frika se sa nga mirësjellja. Porse, dorëzimi i jonë para ҫlirimtarëve dhe privilegjimi i tyre i tepruar, bëri që ne plot dy dekada nga ta të terrorizoheshim e të vuanim. Por, edhe ata ia panë sherrin kësaj tolerance të tepruar të popullit ndaj tyre, sepse e mbërthyen nga të katër anët shtetin dhe nuk dinin më kufi, jo vetëm në plaҫkitjen e ҫdo gjëje që ata ia vinin syrin, por edhe në likuidimin e gjithë atyre që në ҫfarëdo mënyrë ua preknin ndonjë interes, qoftë politik apo afarist. Kështu që, iu erdhi dita që edhe ata të përfundojnë në gjykatën e Hagës dhe të përgjigjen së paku për disa nga krimet e tyre.
Eh, sikur populli t’i ndalonte me kohë, së paku me votë, atëherë as ne nuk do të vuanim kaq gjatë. Pra, kjo i bie sikur, nëse e falë kriminelin njëherë, do të falësh gjithëmonë, kurse ai më nuk din të ndalet, sepse veprat e tij do t’i duken krejtësisht normale. Andaj edhe tortura ndaj popullit vazhdoi për plot dy dekada.
Pra, jo vetëm lufta, por edhe „paqja“ respektivisht paslufta, i shkatërroi plotë jetëra të njerëzve. Shumë miqë dhe kolegë të mijë vdiqën para kohe, disa nga stresi, e disa nga kualiteti i dobët i jetesës. Sepse, duhej të ishe shumë i fortë t’ju qëndroje rrethanave të reja të krijuara, ku sundonte ligji i të fortit apo ligji i xhungllës. Pra, edhe paslufta i paska pasojat e veta, hiҫ më të lehta.
E tani halli, të gjithë duhet t’ia nisim që nga fillimi, ne të ҫlirohemi kurse ata të përgjigjen. Porse, jeta do të ishte shumë më e lehtë sikur të gjithë t’i shihnim gabimet tona që në fillim, deri sa nuk u bënë të pariparueshme. Sepse, asgjë më nuk mund t’i ndalte ata në krimet e tyre të njëpasnjëshme. Meqë, vet populli me përulje e dorëzim i lejoi që ata edhe sot e kësaj dite të besojnë se kanë të drejtë jetërat tona të na i uzurpojnë, e qe besa edhe të na vrasin e torturojnë.
Kështu që, gjithҫka u nis keq që në fillim, e si duket keq do të shkon deri në mbarim.

Dr. Gjina Zeqiri