Gjilani pranohet në Konventën e kryetarëve të Komunave në Bruksel

E publikuar: 02/10/2015 14:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjilan, 2 tetor 2015 – Pas projektit të fituar muaj më parë për implementimin e efiçiencës së energjisë, përkatësisht për hartimin e SEAP, Komuna e Gjilanit është pranuar sot në Konventën e kryetarëve të Komunave në Bruksel.

Pranimin në këtë Konventë do ta nënshkruaj kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, më 15 tetor 2015 në konferencën vjetore të BE-së për një Europë me energji të qëndrueshme.

Kryetari Haziri ka shprehur zotimin që të shkojë përtej objektivave të vendosura nga BE për vitin 2020, duke reduktuar emetimin e CO2 për 20 për qind, të paraqesë një Plan Veprimi të Energjisë së Qëndrueshme, të paraqesë një raport të zbatimit të paktën çdo të dytin vit pas dorëzimit të Planit të Veprimit për qëllime të vlerësimit, monitorimit dhe verifikimit, të organizoj Ditët e Energjisë, sikurse që do të marrë pjesë dhe të kontribuoj në konferencën vjetore të BE-së për kryetarët e Komunave për një Europë me energji të qëndrueshme.
Ndryshe, Komuna e Gjilanit është e para në nivel vendi që është pranuar në Konventën e kryetarëve të Komunave në Bruksel, ndërkaq në vendet e rajonit vetëm kryeqytetet janë të pranuar në këtë organizatë.