Gjilani parasheh investime me partneritet publiko-privat për palestrën sportive, opozita ka vërejtje

E publikuar: 23/05/2020 20:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Gjilanit e ka gati studimin e fizibilitetit për palestrën sportive dhe është në pritje të lehtësimit të masave në këtë situatë emergjente dhe pasi të ndodhë një lehtësim i tillë atëherë ata do të organizojnë një dëgjim publik me palët e interesit, ku edhe do ta shtjellojnë planin e tyre.

Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik, Valbona Tahiri, deklaron se investimet e sektorit privat në projektet të cilat iniciohen nga komuna janë të domosdoshme.

Ajo deklaron se pasi të mbahen dëgjimet publike atëherë lënda do të dërgohet për shqyrtim në Ministrinë e Financave dhe nëse merr aprovimin atëherë do të shpallet edhe tenderi, raporton KOHA.

Ndërkaq, opozita në këtë komunë do ta monitorojë këtë proces.

Ish-drejtori për Zhvillim Ekonomik nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Riad Rashiti, deklaron se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila qeveris me Komunën, në të kaluarën kishte kundërshtuar projektet e partneritetit publiko-privat ndërsa tani ka ndryshuar qasjen.

Ai thotë se nuk do të pranojnë këtë projekt në qoftë se zgjerohet dhe përfshin edhe pjesën e parkut i cili është i destinuar për qytetarët.