Gjest madhështor nga Pogba, i dërgon në Shkup fanellën një tifozi me aftësi të kufizuara dhe i bën një ftesë speciale për ndeshje (Foto/Video)

E publikuar: 16/12/2017 10:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Paul Pogba është një futbollist i jashtëzakonshëm, por ylli francez ka treguar edhe anën e tij të mirë jashtë fushës.

Mesfushori francez kishte parë një video në rrjetet sociale, ku shihej një lojë e futbollit në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup.

Në atë video ishin disa fëmijë duke luajtur futboll, ndërsa me ta ishte edhe një me aftësi të kufizuara i ulur në karrocë por që bënte rolin e portierit.

Kjo e ka prekur shumë francezin i cili ka vendosur ta befasojë djaloshin në karrocë të quajtur Jane.

24-vjeçari i dërgoi një fanellë të tijën Janes së vogël me nënshkrimin e tij duke e gëzuar jashtë mase.

Tifozi i vogël e ka bërë një video duke e hedhur në Instagramin e tij dhe duke falënderuar francezin.

“Faleminderit Pogba për këtë dhuratë të veçantë. Një ditë do të doja të bëhem si ti”, ka thënë Jane.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Pogbas, i cili e ka gëzuar edhe më shumë tifozin e vogël.

Numri gjashtë i ‘Djajve të Kuq’, ka bërë një video dhe ka publikuar ku e ka ftuar publikisht Janen të udhëtoj drejt Anglisë si mysafirë i tij për ta përcjellë një ndeshje nga ‘Old Traford’.

“Jane ti je frymëzim i imi. Të ftoj të vish në ‘Old Traford’ si mysafir i imi për ta parë një ndeshje nga afër”, ka thënë ndër tjera Pogba.

Ky gjest i mesfushorit është përshëndetur shumë nga mediat e mëdha evropiane por edhe nga tifozët e futbollit në rrjetet sociale. /Telegrafi/