Gjermania vendi i parë në BE blen ilaçin e antitrupave

E publikuar: 25/01/2021 08:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria gjermane ka blerë për Gjermaninë një ilaç të ri kundër Koronës të bazuar mbi antitrupat. “Nga java e ardhshme do të përdoren antitrupat monoklonale në Gjermani si vendi i parë në BE. Në fillim në klinikat universitare”, bëri të ditur ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”. “Qeveria ka blerë 200.000 doza për 400 milionë euro.” Që do të thotë, se për një dozë çmimi është 2000 euro.

Më këtë ilaç antitrupash, sipas raportimeve është trajtuar edhe presidenti amerikan, Donald Trump pas infektimit me Korona. “Ato veprojnë si një vaksinim pasiv. Dhënia e antitrupave të tillë mund të ndihmojë grupet e rrezikuara të pacientëve në fazën e hershme të sëmundjes duke penguar  ecurinë e rëndë të saj”, është shprehur politikani gjerman i CDU-së, Spahn.

Në fillim të tetorit Donald Trump është trajtuar me një koktejl antitrupash REGN-COV2 të firmës amerikane Regeneron.

Substanca e REGN-COV2 është një kombinim special i dy antitrupave, që bllokojnë të ashtuquajturën proteinë Spike të virusit Korona duke deformuar kështu strukturën e saj. Në këtë mënyrë pengohet që virusi Korona ta atakojë qelizat e njeriut në trup dhe të shumohet. Kombinimi i dy antitrupave, sipas koncernit amerikan Regeneron, pengon, që virusi SARS-COV2 të pësojë mutacione.

Në bisedë me gazetën gjermane, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn u shpreh edhe për më shumë kujdes në drejtim të fajësimeve në përballjen me pandeminë. “Të flasësh për gabime apo humbje shansesh është e rëndësishme. Po pa e kaluar në luftë të pamëshirshme. Pa pasur si qëllim shkarkimin e fajit tek të tjerët”, tha Spahn./eko/