Gjermania thirrje për vendosjen e një takse globale për kompanitë teknologjike

E publikuar: 24/10/2018 06:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri Gjerman i Financave Olaf Scholz bëri thirrje për implementimin e një takse minimale globale mbi kompanitë teknologjike.


Nëse miratohet, një lëvizje e tillë do të detyronte kompanitë në fjalë të paguajnë taksa në vendet ku gjenerojnë të ardhurat dhe jo vendet ku janë të regjistruara.

Kompanitë e mëdha si Google, Apple, Facebook dhe Amazon kanë vendosur zyrat e tyre qendrore për operacionet Evropiane në vende me taksa të ulëta si Irlanda dhe Luksemburgu.


Kjo lëvizje ka ngjallur reagimin e vendeve si Franca, Italia dhe Britania të cilat kërkojnë që kompanitë në fjalë të paguajnë taksa në vendet e tyre.

Thirrja Gjermane vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian kërkon vendosjen e një taksa dixhitale për kompanitë që operojnë brenda unionit.

Sipas planeve paraprake, firma me 750 milionë dollarë fitim globalisht dhe 50 milion dollarë brenda unionit duhet të paguajnë 3% taksa.

Scholz ka punuar së afërmi me Francën dhe OECD për zhvillimin e një plani taksativ. Edhe sikur vendet ta mbështesin këtë nismë do të duhet kohë për implementimin e saj.

Franca gjithashtu ka kërkuar vendosjen e taksave për kompanitë teknologjike ndërsa presidenca Evropiane e Austrisë e ka vendosur prioritet në axhendën e saj. /PCWorld Albanian