Gjermania: Korrupsioni po i largon investimet e hueja

E publikuar: 13/04/2015 22:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Unë vetë merrem me çashtje ekonomike në ambasadë, andaj jam i bindun se shumë investitorë nga jashtë, largohen nga Kosova, pikërisht për imazhin negativ”.

Kështu deklaroi të hanën në Prishtinë, në prani të ministrit të Mbrendshëm, Shefit të OSBE’s e shumë autoriteteve të tjera, zavendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Mathias Kiesler.

Kjo deklaratë u ba në lansimin e nji projekti 9-mujor të financuem nga qeveria gjermane për luftimin e kopprupsionit të nivelit të naltë në Kosovë. Në prezentimin e projektit, i cili ka me u zbatue nga OSBE dhe përfshin të tana institucionet e sigurisë në vend, ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrendshëm Skënder Hyseni, i cili i siguroi të pranishmit se lufta ndaj korrupsionit asht “top-prioriteti” i qeverisë së Kosovës.

Por krejt ndryshe mendon Shefi i OSBE’s, Jean- Claude Schlumberger, simbas të cilit, rezultatet konkrete po mungojnë, pamvarsisht rritjes së hetimeve kundër korrupsionit.

“Raporti i progresit tregon se hetimet penale kundër korrupsionit janë rritë, megjithatë, numri i dënimeve të shqiptueme asht ende i ulët. Institucionet në Kosovë, ende janë në nji fazë të hershme të luftës së përgjithshme kundër korrupsionit. Edhe numri i rasteve të sekuestrimit të aseteve të urdhnueme  nga gjyqësori e të implementueme nga Policia, asht i ulët”, – tha shefi i OSBE’s.