Gjermania dhe Franca kundër liberalizimit të vizave?

E publikuar: 21/06/2018 17:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Liberalizimi i vizave për kosovarët po shkon duke u tendosur, sa i përket afrimit të datave kur qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm. Por, a ekzistojnë ende rezerva të shteteve të fuqishme të BE’së ndaj këtij procesi? Kabineti i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës ka dhënë një përgjigje për Gazetën Express.
Shtetet e fuqishme të Bashkimit Europian si duket kanë rezerva për ta aprovuar tërësisht lirinë e lëvizjes për kosovarët.

Burime të Gazetës Express thonë se ka informacione që Berlini dhe Parisi kanë rezerva për liberalizimin e vizave, andaj shanset janë kosovarët të mbeten ende të izoluar.

Por, në një përgjigje për Gazetën Express, nga MPJ thonë se thonë se procesi i liberalizimit të vizave është në rrugën e duhur dhe së shpejti pritet që Komisioni Europian ta publikojë qëndrimin rreth përmbushjeve të kritereve.

“Procesi është në rrugë të duhur. Komisioni pritet që së shpejti ta publikojë qëndrimin për përmbushjen e kritereve, që besojmë se do të jetë pozitiv rekomandues në favorin tonë”, u tha në përgjigjen e MPJ’së për Express.

Rezerva ndaj lirisë së lëvizjes së kosovarëve thuhet se kanë Franca e Gjermania, por sipas Kabinetit të ministrit të MPJ’së, janë duke punuar me shtetet anëtare të BE’së rreth kësaj çështjeje.

Nga MPJ thonë se ekziston një agjendë konkrete për secilin shtet veç e veç, “konform angazhimit të brendshëm dhe punës me shtetet anëtare”.

“Besojmë se epilogu do të jetë pozitiv brenda këtij viti dhe kështu do të realizohet ëndrra e qytetarëve të Kosovës që të lëvizin lirshëm në shtetet e Bashkimit Europian”, thotë MPJ e Kosovës.

Gazeta Express ka siguruar dokumentin që është duke u diskutuar në Bruksel nga shefat e misioneve të vendeve anëtare të BE’së në kryeqytetin evropian, të cilët përgatisin agjendën për takimin e Këshillit për Çështje të Përgjithshme ku përfaqësohen ministrat e vendeve anëtare.

Sa i përket vizave në këtë draft thuhet “Këshilli mirëpret ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi për kufirin në mars të vitit 2019 që përbën përmbushje të një prej kritereve kyçe për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe arritje të rëndësishme në frymën e raporteve të mira ndërfqinjësore.

Për këtë problematikë ka folur edhe publicisti Veton Surroi, i cili ka thënë se liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë sivjet. Gjermania e Franca megjithatë, i frikohen valës së mundshme të emigrantëve, ashtu siç ndodhi para dy viteve dhe ende po vazhdon, valë kjo që trazoi të gjithë Europën, por nuk dihet nëse çështja e emigrantëve do të jetë e pranishme për rastin e Kosovës tek këto shtete. /GazetaExpress/