Gjermania del kundër ShBA-së

E publikuar: 15/06/2020 09:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria gjermane ka thënë se e ka parë me keqardhje një propozim të Shteteve të Bashkuara për zgjerimin e sanksioneve ndaj linjës së gazsjellësit “Nord Stream 2” mes Gjermanisë dhe Rusisë.

“Sanksionet e reja do të përbënin një ndërhyrje serioze në sigurinë energjetike evropiane dhe në sovranitetin e BE-së”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të lëshuar të dielën.

Një grup i senatorëve amerikanë më herët gjatë këtij muaji e dorëzuan legjislacionin për t’ia parandaluar Rusisë përfundimin e linjës kundërthënëse të gazit përgjatë Detit Baltik, shkruan “Free Europe”.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë marrë masa për ta bllokuar projektin që do të kushtojë 11 miliardë dollarë. Sipas një projektligji të miratuar në fund të vitit të kaluar, Uashingtonit i mundësohet vendosja e sanksioneve ndaj secilës anije që i ofron ndihmë Rusisë për ta përfunduar këtë projekt, duke i detyruar anijet e Perëndimit që ta ndalonin punën.

Për ta shmangur ndikimin e këtij legjislacioni, Rusia e ka dërguar anijen e saj në Detin Baltik për t’i përfunduar 160 kilometrat e mbetura të projektit.

Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë linjnë e gazsjellësit “Nord Stream 2” me pretendimin se ajo e dobëson Ukrainën dhe e forcon sundimin e Rusisë në industrinë evropiane të energjisë.

Në anën tjetër, Rusia i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po i përdorin sanksionet për t’ia hapur dyert eksportimit të gazit amerikan drejt Evropës.