Gjermanët hapin 70 vende të punës në Skenderaj

E publikuar: 27/08/2016 11:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Skenderajt do të jetë ndër të parat në Kosovë, e cila do të kultivojë pata, mishi i të cilave do të plasohet në tregun evropian. Gjithashtu, mbase Skenderaj do të jetë ndër të parat në Kosovë që do ta ketë fabrikën për përpunimin e mishit të patave pasi një kompani gjermane ka arritur marrëveshje me Komunën e Skenderajt për ndërtimin e fabrikës në këtë pjesë të Drenicës.

Investitorët gjermanë nga kompania “Weng Faat Poultry”, e regjistruar tashmë në Skenderaj si shoqëri aksionare që merret me përpunimin e mishit të shpezëve, do të fillojë së shpejti investimet në ndërtimin e objektit të fabrikës për përpunimin e mishit të shpezëve. Ky investim, sipas investitorëve gjerman, do të krijojë 70 vende të reja të punës në komunën e Skenderajt.

Nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, është takuar disa herë me investitorët gjermanë, të cilët kishin shprehur interesimin për të investuar në komunën e Skenderajt dhe së fundmi kanë arritur marrëveshje, e cila do të konkretizohet menjëherë. Kompania “Weng Fat Poultry”, e regjistruar tashmë në Skenderaj, do të nisë shumë shpejt investimet në ndërtimin e objekteve për përpunimin e mishit të shpezëve që do të importohet në vendet e BE-së, kurse në të ardhmen e njëjta do të rrisë fushëveprimtarinë edhe në kultivimin e patave.

Nënkryetari Nura e vlerëson si shumë të rëndësishëm dhe jetik krijimin e vendeve të reja të punës nga investimet në prodhimtari dhe siguroi për kushte të favorshme për investime që ofron Skenderaj.

“Është një investim shumë i rëndësishëm duke pasur parasysh papunësinë e madhe, jo vetëm në komunën e Skenderajt. Ne me kohë do t’i përmbushim obligimet, të përcaktuara me marrëveshje. Ne sigurojmë truallin për investitorët gjermanë për ndërtimin e fabrikës për përpunimin e mishit të shpezëve. Natyrisht se do të ndiqen procedurat ligjore dhe në fund do të vendosë Kuvendi”, ka thënë nënkryetari Nura.

Ndërkaq, përfaqësuesi i investitorëve, Mu Phung, në emër të aksionarëve është shprehur me mirënjohje për mundësitë që ka ofruar Komuna e Skenderajt në lehtësimin e proceduarave për regjistrim të biznesit dhe për ofrim të kushteve për investime në Kosovë. Ai premtoi se ky do të jetë vetëm hapi i parë i investimeve, pasi që si aksionarë janë të interesuar në zgjerimin e veprimtarisë në fushën e kultivimit të patave.

Hajriz Koci, zëdhënës i Komunës së Skenderajt, i tha “Zërit” të premten, se fillimisht Komuna është përcaktuar për një parcelë në Polac, e cila i plotëson të gjitha kushtet për një fabrikë të llojit të tillë.

“Komuna e Skenderajt po vazhdon me përkushtim të jashtëzakonshëm përpjekjet për thithje të investimeve nga jashtë, sidomos në fushën e prodhimit, pasi investimet e tilla ulin nivelin e papunësisë dhe ndikojnë direkt në zhvillimet e përgjithshme ekonomike. Sfidë për investimet nga jashtë, për institucionet lokale mbetet mungesa e hapësirës ligjore që mundëson procedura më të thjeshtësuara për investitorët e huaj. Fillimisht jemi përcaktuar për një parcelë në Polac, por ka mundësi edhe për ndonjë vend tjetër, Investitorët kanë shikuar disa vende, të cilat vlerësohen si më të përshtatshme për ndërtimin e fabrikës”, tha zëdhënësi Koci.

Nëse kjo marrëveshje realizohet, atëherë ky do jetë investimi më i madh deri më tani në komunën e Skenderajt nga investitorët e jashtëm. Edhe më përpara janë arritur marrëveshje, por asnjë prej tyre nuk është realizuar. Dështimi i parë i madh ka qenë ai me Parkun Teknologjik. Kompania sllovene “Tehnokos” ka dështuar ta realizojë projektin, ndonëse ishte caktuar zona ekonomike e madje edhe kishin filluar punimet. Sikur të realizohej projekti, për të cilin shpresohej shumë, atëherë në Parkun Teknologjik do të punësoheshin 400 punëtorë.

Është edhe një projekt tjetër, i cili besohet se do të realizohet, ndonëse fillimi i punimeve është shtyrë. Besohet se në vjeshtë do të fillojë ndërtimi i fabrikës së sheqerit, e nëse realizohet ky projekt, atëherë aty do të gjejnë punë 450 të rinj drenicas, gjë që do të ndikonte dukshëm në uljen e nivelit të papunësisë në komunën e Skenderajt.