Gjendet një kufomë në malet e Prizrenit –dyshohet se mund të jetë një i ri i vrarë nga forcat serbe

E publikuar: 08/11/2018 19:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Si çdo vit tjetër Rexhep Maloku nga fshati Planej i Komunës së Prizrenit bashkë me vëllain e tij, Bislimin, dolën edhe në këto ditë nëntori në mal për të prerë dru. Kësaj here ata u shokuan pasi gjetën një kufomë që kishte pasur të veshur çizme e uniformë të cilat po dyshohet që i përkasin ushtrisë serbe. Trupi i gjetur ende ndodhet në malet e fshatit. Aty ka dalë njësiti i policisë kufitare e ka izoluar vendin dhe po pret për ta marrë trupin. Banorët e asaj ane kanë treguar për Gazetën Express sot gjatë ditës një rrëfim të dhimbshëm në lidhje me këtë ngjarje.

Dy vëllezërit e familjes Maloku të mërkurën e kësaj jave kishin dalë në pyll për të prerë dru. Por derisa Bislim Maloku nga fshati Planej i Prizrenit  me sharrë motorike po  tentonte ta prente një lis, hasi në një çizme ushtarake.

Vendi i ngjarjes: Fshati Planej-Prizren

E kur tentoi ta kapë këpucën me dorë, Bislimi u shokua kur bashkë me të i dolën  edhe disa pjesë kockore. Ai nuk e ndali punën aty, dhe nisi ta gjurmonte vendin ku e gjeti çizmen. Gjeti edhe disa pjesë të tjera kockore si dhe një xhaketë me ngjyrë të kaltër për të cilën po dyshohet se i përket ushtrisë serbe.

Mbetjet e këtij trupi gjenden ende në malin e fshatit Planej. Aty policia ka izoluar zonën si dhe sot gjatë ditës, pritej që forenzika të shkojë në vendin e ngjarës dhe të merret me këtë rast.

Gazeta Express, sot gjatë ditës ka qëndruar në fshatin Planej, ku ka biseduar me personat që e gjetën trupin si dhe bashkë-fshatarë të tjerë.

Rexhep Maloku, personi i cili e gjeti kufomën

Rexhepi, i cili ishte bashkë me vëllain kur u gjet trupi ka treguar për Express detaje të tjera për këtë rast.

“Ishim me vëllain në mal, dhe rastësisht duke prerë dru vëllai ka hasë në disa eshtra. Vëllai kur i ka pa ato e kishte marrë çizmen edhe më tha eja e shikojë ka eshtra të njeriut këtu. Pastaj ne e kemi thirrë policinë”, thotë ai.

Ai tregon edhe për gjendjen në të cilën ata e gjetën trupin.

“Ne e pamë çizmen edhe setrën që kishin qenë të ushtrisë. Rrobat kanë qenë ngjyrë të kaltër si të ushtrisë, jo me vija shumë. Setra ka qenë nën gurë.  Si pasojë e asaj që ne e kemi parë aty kemi vërejte që trupi ka qenë kogja moti aty. Po dyshohet që trupi ka qenë i ndonjë serbit”, rrëfen tutje Rexhepi nga fshatin Planej.

E në fshatin ku u gjet ky trup, i cili po dyshohet se aty ka qëndruar që nga lufta e fundit në Kosovë  tregojnë që edhe 20 vite pas luftës asnjëherë nuk e kanë gjetur ndonjë trup.
“Më herët nuk ka ndodhë që me pas ndonjë trup të gjetur. Këtu në pjesën tonë ka pas luftime e bombardime të NATO’së”, tregon tutje Rexhep Maloku.

 “Po dyshojmë që trupi mund të jetë i Lulit tonë” 

Njëri nga bashkë-fshatarët e këtij fshati (Planej), Vehbi Shigjeqi, për Express e tregoi një rrëfim më ndryshe se ai që e dëgjuam sot nga fshatarët.

Vehbi Shigjeqi- i cili e dha një rrëfim ndryshe rreth kësaj ngjarjeje

Ai tregoi se gjatë kohës së luftës në këtë fshat, nga paramilitarët serbë, me dhunë ishte marrë Lulzim Duraj i cili është nip i tij. Atë kohë vetëm Lulzimi kishte qenë vetëm 17 vjeç. Atij sipas dajës së tij, i ishin veshur rrobat e ushtrisë serbe si dhe me dhunë  nga serbët ishte detyruar që t’i thërrasë   shokët e tij që në luftë kishin qenë në male, në mënyrë që të kapen nga forcat serbe.

Lulzimi, djali i vetëm i familjes Duraj, vëllai i pesë motrave, që nga ajo kohë nuk ishte shfaqur më i gjallë.

Vendi i ngjarjes

“Neve gjatë kohës së luftës na është zhdukur djali i dajës Lulzim Dura. Në  atë kohë ai i ka pasur 17 vite e gjysmë. Ne o dyshojmë që trupi i gjetur këtu mund të jetë i Lulit.  Për Lulin tonë, tregojnë që kur është zënë prej policisë  ia kanë veshë uniformën serbe gjatë rrëmbimit. Pastaj atë e kanë shti që me i thirrë shokët që kanë qenë të ikun nëpër mal”, rrëfen ai

“Deri tek ura e fshatit Mazrek e kanë sjellë ashtu Lulin e më tutje askush që nga ajo kohë nuk e kanë pa. Luli kishte qenë djali i vetëm i familjes. Por flitet që atij i kishin veshur në uniformë serbe”, tregon tutje familjari i 17-vjecarit të zhdukur.

Komandanti i Policisë në Prizren, Vesel Gashi, deklaroi për Express se hetimet për këtë çështje po vazhdojnë.

“Rreth këtij rasti mund të ju konfirmojmë se një qytetar ka gjetur në pyll mbetje mortore me rroba ushtarake të panjohura. Njësitë policore janë në vendin e ngjarjes dhe pritet të dalin edhe njësiti për krime lufte. Rasti është në procedurë”, thonë policia për Express./GazetaExpress/