Gjakova do të bëhet me impiant për trajtim të ujërave të ndotura

E publikuar: 19/06/2018 16:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në komunën e Gjakovës është bërë ceremonia e vënies së gurthemelit të Impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në këtë komunë.
Kostoja totale e punëve, furnizimeve dhe konsulencës ka arritur rreth 17 milionë euro, financimi është bërë përmes një granti prej 8 milionë euro nga Zvicra dhe një granti 6 milionë euro nga qeveria gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, ndërsa fondet e mbetura janë dhënë nga komuna e Gjakovës.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se ky donacion është më i madhi që ka ndodhur në komunën e Gjakovës.

“Ky është donacioni më i madh që ka ndodhë në komunën e Gjakovës pas luftës. Para luftës nuk ka pasur donacione dhe ky është më i madhi që ka ndodhë ndonjëherë në komunën e Gjakovës. Kjo më bën mua që të falënderoj qeverinë dhe popullin gjerman dhe zviceran për këtë ditë të jashtëzakonshme për qytetarët dhe popullin tonë”, tha Gjini.

“Përpos trajtimit të ujërave dhe pastërtisë që e sjellë në komunën tonë dhe kjo pjesë që nuk po dua që njerëzit të harrojnë, një implant i tillë ka me sjellë mundësi për hulumtim, për zhvillim, zhvillim të teknologjisë, të dijes të njerëzve tanë, njerëzit e udhëhequr nga drejtori Ahmeti kanë me mbërri që të zhvillohen edhe vetë”, shtoi Gjini, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se qytetarët e Gjakovës duhet t’i gëzohen këtij investimi.

“Për mua është një ditë e veçantë që po e bëjmë fillimin e punimeve për trajtimin e ujërave të zeza që ka qenë diskutim para 7 viteve dhe duke falënderuar qeverinë gjermane dhe zvicerane dhe drejtorin e KRU Gjakova dhe tani kryetarin e Gjakovës që ka treguar që është i gatshëm të marrë përgjegjësi dhe të bashkëpunojë për të mirën e qytetarëve, kemi arritur në këtë moment të rëndësishëm për qytetarët e Gjakovës. Prandaj mesazhi im është qytetarët duhet t’i gëzohen këtij investimi dhe që Gjakova po e merr hovin e zhvillimit e sidomos në trajtimin e ujërave të zeza por edhe ujin e pijes”, tha Lekaj.

“Ky investim ka impakt të rëndësishëm në jetën e qytetarëve, në shëndetin e tyre dhe me një klimë ambientale çfarë e kërkojnë qytetarët”, shtoi Lekaj.

Jean-Hubert Lebet, ambasadori zviceran në Kosovë, u shpreh i kënaqur për prezencën e tij në ndërtimin e impiantit të ri për trajtimin e ujërave të zeza.

“Është kënaqësi per mua të përfaqësoj taksapaguesit zviceranë këtu dhe kjo ceremoni shënon fillimin e ndërtimit të impiantit të ri për trajtimin e ujërave të zeza dhe shpresoj që vitin tjetër do të takohemi përsëri për inaugurimin e një impianti i cili do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve të Gjakovës”, tha Lebet.

Roland Siller – nënkryetar i Bankës Gjermane për Zhvillim KfW tha se shpreson që me këtë projekt do të përmirësohet cilësia e jetës së qytetarëve në Gjakovë.

“Eshtë nder i madh per mua të jem prezent në vendosjen e gurthemelit të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza duke marrë parasysh punën time prej 12 vite këtu dhe siç u tha është njëri ndër investimet më të mëdha të viteve të fundit në Gjakovë dhe impianti i dytë i trajtimit të ujërave të zeza që po ndërtohet në këtë pjesë të Kosovës, por kjo nuk është e rëndësishme vetëm për Kosovën, por edhe për vendet fqinje dhe kam dëgjuar që Gjakova është e njohur për cilësinë e ujit dhe shpresoj që me këtë projekt edhe ujërat e shkarkuara në lumenj do të kenë këtë cilësi dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve në Gjakovë por do të ketë shembull edhe për vendet fqinje siç është Shqipëria”, tha Siller.