Gjakmarrja dhe buzët e trasha të Noizit

E publikuar: 10/02/2016 19:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Ballsor Hoxha

Le ta imagjinojmë se dikush na e vret të birin (gjë që njihet si dhembja më e madhe e mundshme për një njeri, kudoqoftë). Ajo që mund të bëjmë janë dy gëra: hakmarrja ose sublimimi i dhembjes/padrejtësisë përmes mekanizmave ligjor. Cila është më reale në Shqipëri sot? Cila është më efikase?

Pastaj paraqiten edhe pyetje të tjera, siç është: cila është më e drejtë? Më biologjike? Të vrasësh apo të dënohet vrasësi. Automatikisht, të gjithë brenda sistemit kulturor, sociologjik dhe psikologjik modern përgjigjemi për dënimin, pra sublimimim e kësaj dhembjeje. Por nëse pyetemi cila është më e afërt me mentalitetin tonë, të gjithë do të ishim për hakmarrjen.

Është shumë e përafërt struktura e Cosa Nostras me strukturën e gjakëmarrjes/strukturën fisnore shqiptare. Të dyja kanë për ligj vrasjen, pavarësisht dallimit në qëllim, dhe të dyja kanë për moral hakmarrjen, pavarësisht arsyes. Kjo e bën evidente se gjakmarrja ka qenë krejtësisht e “Ligjshme” në shumë shoqëri dhe në kohë të ndryshme, dhe se në shoqëri si ato italiane ka pësuar transformim në një organizim pragmatik dhe kapitalist.

Mirëpo në shoqërinë shqiptare gjakmarrja ka ruajtur formën e sistemit të vlerave sociologjike të të ashtuquajturit rend fisnor. Çdo aksidentim ndërmjet dy fiseve zgjidhet me gjakmarrje. Megjithëse në shoqërinë shqiptare ky sistem, ky ligj dhe ky moral kishte mbijetuar deri në kohërat moderne, pra në formën e tij më bërthamore, ai ishte zhdukur në kohën e komunizmit në Shqipëri, dhe në Kosovë ishte shuar përmes asaj që quhej vetëdijesim. Mirëpo, sa i përket shoqërisë shqiptare në Kosovë, kjo në të vërtetë ka qenë instinkt i ruajtjes së “llojit” pra solidarizim instinktiv për të mbijetuar. Ndërsa ka filluar të shfaqet në ngritje të vazhdueshme pas luftës, kjo e konfirmon tezën.

Mirëpo problemi është shumë më i dhembshëm dhe më i pashqitshëm në Shqipëri. Këtu, gjakmarrja ka marrë hovin e një ligji, mbi ligjin, apo thënë më saktësisht paralele ligjit shtetëror e kushtetues. Dhe pikërisht kjo tregon për shthurjen, paarritshmërinë, dhe pamundësinë e ligjit shtetëror. Kjo pikërisht tregon fragmetarizimin e shoqërisë shqiptare brenda sistemeve të vlerave të ndryshme. P.sh. nëse për një vajzë të re në Vlorë sistem i vlerave janë dy buzët e trasha të Noizit, diku në Elbasan sistemin e vlerave e përcakton madhësia e fisit, dhe numri i meshkujve në atë fis.

Sigurisht kthimi i gjakmarrjes është degradim i shoqërisë, psikologjik dhe sociologjik. Mirëpo ky degradim do të duhej krahasuar me – përparimin – e shoqërisë shqiptare paraprakisht. A ka një? A ka ndodhur? Cili është ai? Dhe ku është ai? Mund të thuhet se përparimi ndodh ngadalë dhe spontanisht dhe në shkëmbim, mirëpo sigurisht kur ai një herë ka ndodhur duhet të ketë shenjën dhe sistemin e tij/saj.

Dhe ndoshta pikërisht ballafaqimi i këtij “përparimi” me pjesë tjera të shoqërisë krijon regresin si zgjidhje në disa fragmente të shoqërisë. Ndoshta pikërisht përparimi në një realiteti të mundshëm vetëm artificialisht, në përballje me pjesë të shoqërisë shqiptare i shtyen këta të fundit të bëjnë prapa. Ndoshta pikërisht ajo që njihet si “përparim” tek ne është më e dhembshme se të kthyerit prapa.

II

“Gjaku nuk falet”. Paramenduar kohën kur ka lindur ky ligj mund të jetë shenjë dhe tregues i tërë kontekstit prej nga ka buruar. Por si shtesë ndaj kushteve ku ka lindur, është shumë më shumë për shkak të mungesës së një sistemi sublimues së kësaj mundësie biologjike për të vrarë tjetrin. Dhe mu kjo në kontekstin sot, pas gjithë atyre tonelatave letrash që janë shkruar e shtypur që nga 1993, në funksionalizim të një sistemi gjyqësor, tregon që “gjaku nuk falet” as sot.

Pse do të duhej të krijohej filozofi popullore, në histori, dhe deri edhe thellë në modernizëm që është shumë më afër të pavetëdijshmes se sa të vetëdijshmes. Kur thuhet gjaku nuk falet, kjo do të thotë gjaku është ligji, morali dhe shpjegimi për më shumë. Kur thuhet gjaku nuk falet, bota kufizohet brenda esenciales njerëzore të gjakut dhe sublimimi është i përjashtuar.

Gjaku nuk falet është vetë mbrojtja e jetës në kufirin më esencial të njeriut dhe të shoqërisë. Asgjë nuk ka brenda dhe asgjë nuk ka përtej gjakut. Gjërat si buzët e trasha të Noizit dhe kravatat e Edi Ramës, si dhe revolucioni i Albin Kurtit janë tërësisht tej dhe jashtë të zakonshmes dhe të qëllimit të jetës.

Mirëpo nga realiteti i sotshëm, në të vërtetë edhe ngjyra e këpucëve të Blendi Fevziut, edhe revolucioni i Albin Kurtit, edhe buzët e Noizit dhe kravatat e Edi Ramës janë duke ndodhur krahas me “gjakun që nuk falet”. Ajo që mund, është duke ndodhur dhe së shpejti do të mbetet si sistem i zgjidhjes në shoqërinë tonë është transformimi i kësaj filozofie brenda pragmatizmit kapitalist: ku gjaku falet për më shumë pushtet dhe ku pushteti falet në ruajtje të gjakut personal.

Ajo që është duke ndodhur në shoqërinë shqiptare, qoftë edhe kur vrasjet dhe gjakmarrjet janë duke ndodhur, është pikërisht transformimi i saj në diçka të funksionalizueshme brenda sistemit të kapitalit dhe krijimit të mundësisë për një pushtet më gjithëpërfshirës.

Së shpejti Cosa Nostra do të jetë organizimi shoqëror i përparimit nga sistemi i gjakmarrjes, dhe po të njëjtit do të mund të krijojnë pushtet, pushtet më të madh se vetë buzët e Noizit dhe kravatat e Edi Ramës.