Giggs e konfirmon se Bale s’do ta braktisë Real Madridin për Manchester Unitedin

E publikuar: 31/01/2018 15:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri i Uellsit, Ryan Giggs, ka insistuar se sulmuesi uellsian, Gareth Bale, nuk ka dëshirë të largohet nga Real Madridi për të kaluar në Manchester United.
Anësori 28-vjeçar është lidhur ngushtë me një kalim në “Old Trafford” viteve të fundit, dhe problemet me lëndime në sezonet e fundit i kanë rritur spekulimet se ai do të largohet nga “Santiago Bernabeu”, transmeton Express.

Por, ish-ylli i Manchester United dhe Uellsit, Giggs, ka thënë se Bale ende ka shumë për të ofruar në Madrid dhe për ekipin kombëtar, dhe se pret që ai të qëndrojë te gjiganti spanjoll.

“Ai është i lumtur në Real Madrid. Ai dëshiron të qëndrojë, nuk ka dyshim për këtë. Ai e di që klubi dhe trajneri e respektojnë prandaj dhe dëshiron t’iu tregojë adhuruesve se cfarë është në gjendje të bëjë”, ka thënë Giggs.

Ai e pranon se United do të ishte opsion i mirë për të, por insiston se Bale nuk largohet.

“Nuk e di nëse [United dëshiron ta blejë], por Bale nuk e ka ndërmend të largohet dhe Real Madridi nuk do ta shesë. Është e qartë se Unitedi do të ishte një opsion i mirë për të, por për momentin nuk është opsion, nuk do të largohet nga Madridi”, ka shtuar Giggs. /Express/