Gërxhaliu: Tërheqja e 10 përqindëshit mundëson rimëkëmbjen ekonomike

E publikuar: 15/06/2020 23:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për Front Online ka thënë që kjo është një ndër dy metodat, që mundësojnë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë Covid-19.

“E para është kjo që është propozuar nga Ministria e Financave për 10% të Trustit Pensional të jetë në shfrytëzim me të vetmin qëllim që të arrihet një standard social, por mbi të gjitha të arrihet edhe një efekt pozitiv ekonomik”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas tij, aplikimi i kësaj metode për rimëkëmbje ekonomike, nuk është i pamundur.

“Besoj që vetë fakti që Trusti është themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe për vet faktin që i raporton Kuvendit duhet të bëhet një përgatitje paraprake që me një udhëzim administrativ , kjo të realizohet. Nuk është e pamundur por është momenti kur duhet që në të vërtet të hulumtohen të gjitha metodat”, ka thënë tutje Gërxhaliu për Front Online.

Një aspekt tjetër që do të ndihmonte në rimëkëmbjen ekonomike, sipas Gërxhaliut, është edhe huamarrja.

“Aspekti i dytë është huamarrja. Ju e dini që në bazë të Ligjit mbi Financat Publike Kosova e ka të paraparë që borxhi publik të jetë afër 40%. Për momentin jemi një ndër vendet në rajon që e ka borxhin publik më të vogël, më 19.7% ose përafërsisht 1 miliardë e 350 milionë euro. Prandaj duhet që të analizohet kjo mundësi që të rritet në 40% dhe nëse lejohet 40%, do të thotë e borxhit, atëherë me 4 miliardë përafërsisht mund të kemi një rimëkëmbje ekonomike. Kemi një hapësirë për 1 miliardë e 750 milion për borxhe të reja”, ka thënë ai për Front Online.