Gërxhaliu: Kosova ende nuk është e barabartë me vendet e rajonit

E publikuar: 25/10/2017 09:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, tha se më shumë flitet për normalizim politik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, se sa bashkëpunim ekonomik.

“Duhet të ketë më shumë dialog konkret. Sot kur të kalohet kufiri ndërmjet dy vendeve, ndeshemi më barriera të mëdha në dy anët. Aq sa afër jemi, jemi aq larg njëri tjetrit”, tha Gërxhaliu sot në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Sipas tij është një dimension psikologjik që është krijuar në dy anët. “Politika është determinuese e bashkëpunimit. Ka probleme dhe faktorizim të rrymave të ndryshme në Serbi që kjo nuk është mirë”, tha kryetari i OEK-ut.

Ai tha se Procesi i Berlinit në Beograd ka marrë një pompozitet. “Është një obligim i institucioneve vendore që të shfrytëzohen iniciativat e madha që ne të ecim. Si mund të ecim përpara, kur kemi barriera nga Serbia, e mos të flasim për Bosnjën. Ardhmëria në rajon është e ndritshme, kur jemi të barabartë”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu bëri me dije se kompanitë nga Kosova ndeshen me probleme të shumta kur marrin pjesë në tenderë të ndryshëm jashtë Kosovës. “Ka kompani nga Kosova që kanë plotësuar të gjitha kushtet për të fituar tender në Serbi, por janë eliminuat vetëm për një gjë, që janë nga Kosova”, tha ai. Sipas tij megjithëse i plotësojmë kushtet, në Serbi është shumë prezent nacionalizmi ekonomik./RTKlive/