Gecaj: Opozitës nuk i intereson demarkacioni, e ka vetëm çështje politike

E publikuar: 19/01/2017 13:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Refuzimin e opozitës për të mos marrë pjesë me ekspertët e tyre në matjen e territorit të Kosovës, iniciativë kjo e kryeministrit Isa Mustafa, sipas Qeverisë së Kosovë tregon se opozita nuk është e interesuar për të zgjidhur çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, por se kjo për ta është çështje politike.

Kështu ka thënë, këshilltari i kryeministrit Mustafa dhe zv/ministri i Administrimit e Pushtetit  Lokal, Bajram Gecaj.

Gecaj ka deklaruar për Gazetën Monitor se kjo është një zgjidhje e ofruar nga ana e kryeministrit Mustafa për të tejkaluar këtë situatë.

“Kjo është një mundësi që edhe ekspertet e opozitës, të japin mendimin  tyre lidhur me atë se çfarë ka ndodh. Pra nëse ata vërtet refuzojnë të vijnë kjo tregon se ata nuk janë të interesuar për këtë çështje, pra kjo për ata është çështje vetëm politike. Nuk janë të interesuar që kjo të zgjidhet”, ka thënë Gecaj.

E në anën tjetër siç vlerëson Gecaj, Qeveria e vendit është e interesuar që kjo situatë të ketë një zgjidhje sa më të shpejtë, pasi që siç tha ai “ nga kjo çështje varet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, që është një çështje shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës, sepse ne jemi tash i vetmi vend në rajon, qytetarët e të cilit nuk kanë drejtë të lëvizjes së lirë”.

Arsyetimin e opozitës se nga ky grup i ekspertëve dhe nga ky komision nuk do të ketë ndonjë ndryshim në qasje të qeverisë dhe se është thjeshtë për të fituar në kohë, e për të bindur deputetët, Gecaj e sheh si të palogjikshëm.

“Këto janë arsyetime të palogjikshme, pasi  që  ai grup , ekspertët do ta thonë fjalën. Është  çështje ekspertëve e jo neve  që i takojmë pjesës politike. Ekspertët do të mblidhen, dhe në atë takim ata do të vendosin se si të bëhet matja. Edhe ekspertët e opozitës mund ta kenë ndikimin e vet aty se si do të bëhet matja. Pra se si do të bëhet matja, krejt pjesa profesionale e saj do të vendoset nga ekspertët”, ka theksuar Gecaj.

Ndryshe tri subjektet opozitare në parlament Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të cilat që nga shtatori i vitit 2015 po kundërshtojnë demarkacionin me Malin e Zi, kanë deklaruar se nuk do të dërgojnë ekspertët e tyre në këtë komision.