Gecaj Daçiqit: Shqiptarët s’janë të interesuar të ndjekin rrugën e luftës, krimeve e masakrave

E publikuar: 01/05/2017 11:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri i Pushetit Lokal, Bajram Gecaj, i është kundërpërgjigjur ministrit serb Ivica Daçiq, i cili tha se “shqiptarët nuk janë aq të guximshëm sa të flasin për Shqipërinë e madhe”.
Sipas Gecajt, nëse me guxim ai nënkupton luftë me fqinjët, atëherë, sipas tij, shqiptarët nuk janë të interesuar të ndjekin rrugën e luftës, krimeve e masakrave.

Gecaj thotë se rruga e vetme për “Serbinë evropiane” do të jetë njohja sa më parë e këtij realiteti si dhe bashkëjetesa e bashkëpunimi konstruktiv ndërfqinjësor.

Postimi i tij i plotë:

Ivica Daçiq: Shqiptarët nuk janë aq të guximshëm sa të flasin për Shqipërinë e madhe…

Nëse me guxim nënkuptoni luftë me popujt fqinjë z. Daçiq, atëherë po, shqiptarët nuk janë të interesuar as të vullnetshëm të ndjekin rrugën e luftës, krimeve e masakrave deri në kufijtë e gjenocidit, ashtu siç bëri Serbia në luftërat e fundit dhe jo vetëm. Shqiptarët, ashtu siç edhe kanë deklaruar politikanët tonë të përgjegjshëm, do të bashkohen në familjen evropiane, atje ku do të jenë një element i fuqishëm, i pashmangshëm dhe shumë i rëndësishëm i paqes dhe sigurisë rajonale. Rruga e vetme për “Serbinë evropiane” do të jetë njohja sa më parë e këtij realiteti si dhe bashkëjetesa e bashkëpunimi konstruktiv ndër-fqinjësor.