Gazetari i KALLXO.com Pengohet në Kuvend

E publikuar: 22/02/2018 14:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetari i KALLXO.com i cili është larguar me forcë sot nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, shpjegoi arsyet pse zyrtari i sigurimit të Kuvendit e ka larguar atë nga ndërtesa.

Osmani tha se ka qenë duke pritur në korridor përfundimin e një takimi mes kryeparlamentarit Veseli dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare rreth seancës për demarkacionin.

“Konsideroj që arsyeja e veprimet të zyrtarit ka qenë që të mos lejohet të raportohet se kush është në takim me në zyrën e Kryetarit Veseli, sepse ne morëm informacione që në takim me Veselin gjenden përfaqësues të partive politike. Në momentin që ka dalë z.Limaj dhe deputetët e LDK-së nga takimi, zyrtari në fjalë më ka largu prej aty me forcë”, tha Taulant Osmani.

Gazetari i KALLXO.com është penguar sot gjatë punës së tij në Kuvendin e Kosovës.

Një pjesëtar i sigurimit në Kuvend e ka larguar me forcë duke e tërhequr zvarrë gazetarin nga ndërtesa e Kuvendit rreth orës 13:00 në kohën kur deputetët, mysafirët e gazetarët po prisnin të fillonte seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Në kohën kur është nxjerrë jashtë, Taulant Osmani ka qenë duke qëndruar në korridorin e Kuvendit, përballë zyrës së kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Gazetari i KALLXO.com tha se arsyeja e dhënë nga pjesëtari i Policisë ka qenë që ai nuk është i akredituar për t’i përcjellë ngjarjet në Kuvend meqë akreditimi që ai e ka poseduar me vete ka skaduar më 31 dhjetor 2017.

Kuvendi i Kosovës ende nuk ua ka shpërndarë gazetarëve akreditimet për vitin 2018 dhe asnjë gazetar i pranishëm nuk ka pasur akreditim valid

KALLXO.com kërkon nga sekretaria e Kuvendit ndërmarrjen e masave dhe krijimin e kushteve për punë të papenguar të gazetarëve dhe inicim të masave ndaj zyrtarit që e ka penguar gazetarin në kryerjen e punës së tij.