Gaz over!

E publikuar: 22/03/2018 08:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Marrëveshja e cila për gati tre vjet na bëri gaz i botës kaloi dje në Kuvendin e Kosovës. Me gaz nisi, me gaz përfundoi. Pas katër ndërprerjeve të seancës mezi arriti të votohej Demarkacioni. Lëvizja “Vetëvendosje”, së cilës iu arrestuan shtatë deputetë, i shpalli tradhtarë ligjvënësit që votuan pro, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Pas rreth tre vjetëve të nënshkrimit Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi është ratifikuar dje nga Kuvendi i Kosovës. Seanca e filluar paradite është ndërprerë katër herë për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në sallë nga deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje”. Trembëdhjetë deputetë të kësaj partie janë përjashtuar nga seanca, ndërsa 7 prej tyre janë arrestuar nga Policia e Kosovës. Në fund Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi ka marrë 80 vota të deputetëve, ndërsa 11 të tjerë kanë qenë kundër. Marrëveshja e Vjenës u votua nga deputetët e koalicionit qeverisës (PDK, AAK, Nisma, AKR, 6+), nga ata të Grupit Parlamentar të LDK-së, nga 6 deputetët pa grupe parlamentare, si dhe nga Adem Hoxha i Listës Serbe. Ndërkohë, kundër Marrëveshjes ishin deputetët e “Vetëvendosjes” dhe ata të Grupit të Deputetëve të Pavarur.
Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi është vlerësuar nga drejtuesit institucionalë dhe nga ndërkombëtarët si hap i qartë i Kosovës drejt liberalizimit të vizave për në zonën Shengen, shkruan tutje gazeta “Zëri”

Ambasadori i Shteteve të bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, e ka përshëndetur ratifikimin e Ligjit për Demarkacionin me Malin e Zi. Ai ka thënë se ky është një lajm i mrekullueshëm. “Ky është një lajm i mrekullueshëm. Kosova e bëri gjënë e duhur. Dua t’i falënderoj të gjithë që votuan këtë marrëveshje”, është shprehur Delawie.

BE: Kosova drejt liberalizimit të vizave

Edhe shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e ka përshëndetur ratifikimin e Demarkacionit. Përmes një postimi në “Twitter” ajo ka thënë se ky është një lajm i mirë për Prishtinën dhe Kosova tani është drejt liberalizimit të vizave. “Lajm i mirë nga Prishtina, ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Kosova drejt liberalizimit të vizave për në BE për popullin e saj”, ka shkruar Mogherini.