Gaxherri: Përveç dëmit, ekipi negociator po krijon edhe shpenzime

E publikuar: 10/01/2019 13:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka thënë për “Zërin” se delegacioni aktual përveçse po i shkakton dëm dhe është i papeshë në dialogun me Serbinë, tash do t’i krijojë edhe shpenzime buxhetit të Kosovës, shkruan Gazeta “Zëri”.

“Tash me këso lloj hapash duke dashur ta rrisin reputacionin e tyre bëjnë edhe gjëra të tilla, të cilat krijojnë vetëm shpenzime.Fatkeqësia më e madhe është që në të vërtetë humbet kohë dhe energji. Ky është një organ i cili po ia bën qejfin vetes dhe po shpenzon para, sepse kushedi tash sa do të shtohet numri i atyre nëpër zyra për të marrë mëditje”, u shpreh Gaxherri.

Gjithë këto përpjekje të delegacionit Gaxherri i quajti garë mes tyre dhe presidentit Thaçi dhe theksoi se ekipi negociator po mundohet të bëhet me objekt për t’u marrë më seriozisht nga presidenti. “Këto zyra po i bëjnë vetëm si formalitet, sepse nuk kanë legjitimitet dhe janë të vetëdijshëm edhe vetë që nuk kanë legjitimitet, por e tërë kjo maskaradë është duke u bërë për t’i dhënë fuqi si delegacion dhe për t’i treguar zotit Thaçi se tashmë janë edhe institucion, e që faktikisht nuk janë”. deklaroi Gaxherri.

Ajo theksoi se zyrtarët e lartë shtetërorë nuk do të jenë në gjendje t’i menaxhojnë punët e tyre shtetërore tani që po u ndahen përgjegjësitë nëpër institucione të ndryshme, por megjithatë ajo thotë se edhe ashtu nuk pritet punë prej këtij delegacioni sepse tashmë atyre u është bërë me dije qoftë nga Kosova, qoftë nga Brukseli, se nuk kanë relevancë dhe legjitimitet./ZËRI