Gattuso e konfirmon mungesën e Kalinic, kërkon më shumë nga Rodriguez dhe Silva

E publikuar: 09/02/2018 17:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Barazimi me Udinesen frenoi ecurinë pozitive drejt Evropës për Milanin, pas 3 fitoreve radhazi në kampionat.
Të shtunën, kuqezinjtë do të jenë të impenjuar në “Ferrara” kundër Spalit, e trajneri Gattuso kërkon të mbajë të karikuar ekipin.

“Na pret një periudhë shumë intensive, me shumë ndeshje, e për këtë arsye iu dhashë disa ditë pushim lojtarëve. Nesër luajmë ndaj Spalit, një skuadër që e di mirë se ç’duhet të bëjë për mbijetesën. Ata kanë përgatitje të lartë fizike dhe luajnë të ngjeshur në prapavijë, por kanë edhe dy anësorë që kontribuojnë në aksionet sulmuese. Kështu që do të kemi një përballje të vështirë”, tha Gennaro Gattuso në konferencën për shtyp para takimit.

Rino, pasi lavdëron punën e bërë sidomos në krahë, kërkon më shumë nga Rodriguez, për të cilin thotë se mund të bëjë edhe më mirë, si dhe Andre Silvën, nga i cili kërkon të shënojë më shumë, sepse këtë gjë e ka në ADN.

Ajo që është e sigurtë për ndeshjen e nesërme është mungesa e Kaliniç.

“Preferova ta lë pushim për të evituar një përkeqësim të dëmtimit në pulpë. Besoj se është një pushim i shkurtër dhe nuk rrezikojmë ta humbasim për një kohë të gjatë”.

Sa i përket të ardhmes, mes kampionatit dhe Europa League, pa harruar Kupën e Italisë, Gattuso shprehet se objektivi i skuadrës është t’u jepet vazhdimësi rezultateve dhe lojës së mirë.

“Sigurisht edhe rikuperimi i energjive në këtë kohë intensive, por pa harruar shmangien e gabimeve në përzgjedhjet e mia se cilët të hedh titullarë në fushë”, tha ai.

Gattuso pati komplimente për Calhanoglu, Biglian dhe Bonuccin.

“Ka ardhur koha të mendojmë për të fituar ndeshjet tona. Klasifikimi është ai që është dhe nuk mund t’i lejojmë vetes të mos fitojmë ndeshje të dominuara si ajo me Udinezen. Objektivi im është t’i çoj lojtarët sa më larg të mundem për të shfaqur vlerat e tyre, t’i bëj të gjithë të qëndrojnë grup i bashkuar, pra të jenë një skuadër”, shprehet Gattuso.

Që prej ardhjes së tij në krye të pankinës së Milanit, kuqezinjtë kanë bërë disa hapa përpara, por Gattuso kërkon të mbajë një profil të ulët dhe nuk beson se ka merita të veçanta për këtë./GazetaExpresS/