Gati bisedimet për zgjidhjen e krizës

E publikuar: 30/03/2016 16:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka paralajmëruar nisjen e bisedimeve mes subjekteve politike për daljen nga kriza politike.

Edhe pse aktualisht bisedat po zhvillohen në takime joformale, Haliti tha se pret një zgjidhje të shpejtë të situatës, për të dalë nga kriza.

“Po, besoj që do të ketë një zgjidhje. Unë nuk mund ta them sot se cila është zgjidhja, por e di që nga të gjitha subjektet politike ka përpjekje për të dalë nga kriza. Dhe po, besoj se do të gjendet një zgjidhje”, tha Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit.

Këto komente, Haliti i bëri pas seancës plenare, e cila u bojkotua sërish nga deputetët e opozitës.

Në këtë seancë, me 64 vota pro, 10 abstenime dhe një kundër, Kuvendi ka zgjedhur anëtarët dhe kryesuesin e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, që ishte edhe njëri nga kriteret për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Deputetët e koalicionit qeveritar votuan po ashtu për zgjedhjen e Auditorit të parë shqiptar që nga paslufta, pasi këtë institucion deri më tani e kanë udhëhequr ndërkombëtarët.

Me 76 vota pro, Kuvendi vendosi që Besnik Osmani të jetë Auditor i Përgjithshëm i Kosovës, për një mandat 5-vjeçar.