Gati 40 shtete shënuan rekorde të koronavirusit javën e kaluar

E publikuar: 25/07/2020 11:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gati 40 shtete kanë raportuar shifra rekorde të rasteve të koronavirusit gjatë javës së kaluar, pothuajse dyfish më shumë se në javën paraprake, sipas të dhënave të agjencisë Reuters. Rekordet u shënuan në të gjitha rajonet e botës.

Shkalla e infeksionit nuk është rritur vetëm në shtetet si Brazili, Shtetet e Bashkuara dhe India, të cilat i kanë mbizotëruar titujt e lajmeve për shkak të përhapjes së madhe, por edhe në Australi, Japoni, Bullgari, Belgjikë, Izrael, Sudan, Bolivi, Etiopi, dhe Uzbekistan.

Shumë shtete, sidomos ato që i lehtësuan masat e izolimit, janë duke e përjetuar kulmin e dytë të pandemisë, mbi një muaj pas regjistrimit të kulmit të parë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Të dhënat e kësaj agjencie, të grumbulluara në bazë të raporteve zyrtare, tregojnë një rritje të qëndrueshme të numrit të vendeve që kanë raportuar shtim të rasteve ditore të koronavirusit gjatë muajit të kaluar. Së paku shtatë shtete regjistruan rritje të tilla tri javë më parë. Kjo shifër u rrit në 13 vende dy javë më parë, në 20 shtete javën e kaluar dhe në 37 këtë javë.

Numri i vërtetë i të infektuarve dhe të vdekurve besohet se është më i madh sesa shifrat zyrtare, sidomos në shtetet më të varfra, thonë ekspertët shëndetësorë dhe zyrtarët.

Shtetet e Bashkuara mbesin në krye të listët me më shumë se katër milionë të infektuar dhe me mbi një mijë të vdekur për 24 orë për katër ditë me radhë. Brazili dhe India tashmë e kanë kaluar shifrën prej një milion të infektuarve.