Gastronomët edhe njëherë bëjnë thirrje për zgjatje të orarit

E publikuar: 15/12/2020 13:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës (ShGK) edhe njëherë kanë bërë thirrje që të zgjasin orarin për funksionim të bizneseve.

Nga ShGK kanë bërë dhe një hulumtim rreth asaj se sa kohë do t’iu duhet bizneseve të kthehen në gjendje normale.

“Sipas rezultateve të hulumtimit të SHGK-së, po të lejohej që bizneset të veprojnë në rrethana normale (pa kufizime kohore), 45% e bizneseve kanë raportuar që do t’iu duhet më shumë se një (1) vit për t’u rikuperuar. Ndërsa, 43% prej tyre janë shprehur se do t’iu duhet 3-12 muaj që të kthehen në gjendje normale të funksionimit”, kështu thuhet në një shkrim të ShGK.

Publikojmë shkrimin e plotë të shoqatës:

THIRRJE PËR ZGJATJEN E ORARIT TË FUNKSIONIMIT TË BIZNESEVE

Që nga marsi e deri më tani, shëndeti publik dhe ekonomia e vendit tonë është goditur nga pandemia dhe masat e vendosura nga institucionet publike.

I kemi pasur disa tentativa modeste për të ndikuar në ekonomi nga ana e shtetit, por fatkeqësisht të pasukseshme. Sa më shumë kohë që nuk jemi përkrahur ekonomikisht, dëmet janë përshkallëzuar edhe më shumë.

Duke marrë parasysh situatën dhe mos-efektivitetin e masave, ne njëzërit edhe me Odat dhe Shoqatat tjera sektoriale, i bëjmë thirrje Qeverisë që të drejtojë fokusin drejtë çështjeve ekonomike dhe të ngrisë nivelin e dialogut publiko-privat. Rrjedhimisht, ne konsiderojmë të domosdoshme zgjatjen e orarit të funksionimit të bizneseve dhe unifikimit të tij për të gjitha komunat në mënyrë që të mundësohet operimi normal i bizneseve gjithmonë duke marrë parasysh rekomandimet e OBSH-së.

Respektivisht, sipas rezultateve të hulumtimit të SHGK-së, po të lejohej që bizneset të veprojnë në rrethana normale (pa kufizime kohore), 45% e bizneseve kanë raportuar që do t’iu duhet më shumë se një (1) vit për t’u rikuperuar. Ndërsa, 43% prej tyre janë shprehur se do t’iu duhet 3-12 muaj që të kthehen në gjendje normale të funksionimit.

Për këto arsye, zgjatja e orarit pashmangshmërisht duhet të ndodhë!

Sinqerisht,

SHGK