Gastronomët dorëzojnë çelësat: Reflektoni ose i sjellim edhe arkat fiskale

E publikuar: 27/07/2020 14:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesit e bizneseve të gastronomisë në Kosovë, mesditën e sotme protestuan para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që ky sektor, që është goditur nga pandemia e Covid-19, të ndihmohet.

Në mënyrë simbolike, duke shprehur pakënaqësi, hodhën para qeverisë çelësat e bizneseve të tyre.

Nga shoqata e Gastronomeve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka thënë se nëse nuk realizohen kërkesat e tyre, nuk do të ndalen me kaq.

“Ne paguajmë taksën, ata paguajnë vetën. Sot është vetëm një aksion simbolik po ia japim çelësat tanë, se me vendimet tuaja ju na i keni qite çelësin. Po nëse qëllimet tona nuk arrihen ne nuk ndalemi. Jemi të parët që u mbyllëm e të fundit që u hapëm, mirëpo pritëm përkrahje për çka kemi kontribuar që 20 vite. Sot nuk po na dilni në krah për 3 muaj, marre”, ka thënë ai.

Derisa ngriti zërin për të drejtat e gastronomëve, Kllokoqi i bëri thirrje Qeverisë e Kuvendit të kalojnë buxhetin në mënyrë që bizneset të ndihmohen.

Kllokoqi shtoi, se nëse kërkesat e tyre nuk realizohen, të hënën e ardhshme do t’i sjellin edhe arkat fiskale.

“Nëse keni dyshime për rolin e madh të gastronomisë në ekonomi, keni parasysh që kur ne nuk jemi mirë, nuk janë mirë as prodhuesit vendorë të pijeve e të tjerët. Ju bëj thirrje qeverisë kaloni buxhetin, ndihmoni bizneset sepse është koha e fundit që mund të tregoni veten. Kërkesat tona janë subvencionim të pagave, mbulim 50% i qirasë, shtyrje të pagesave dhe deklarimet dhe ulje e TVSH-së në 8%. Nëse nuk i plotësoni kërkesat tona sot një javë jemi prapë këtu, do t’i sjellim arkat fiskale”, ka thënë ai.

Për shkak se tubimet me më shumë se 50 vetë janë të ndaluara, Policia e Kosovës reagoi duke iu kërkuar protestuesve që të shpërndahen.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, grumbullimi i njerëzve në masë dhe protesta përmban rrezik për shpërndarje të virusit. Policia e Kosovës në zbatim të kërkesave të Qeverisë kërkon nga ju që të shpërndaheni”, ka thënë ai.

I menjëhershëm ishte reagimi i organizatorëve të protestë, të cilët pas deklaratës së policisë shpërndan turmën, duke lënë prapa tyre vetëm çelësat.

Në fillim të muajit korrik, Qeveria e Kosovës vendosi që të rikthejë disa masa kufizuese për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit. Njëra ndër to ishte që bizneset e gastronomisë të mos punojnë nga ora 21:00 deri në orën 05:00./kp/infosot