Gashi për Pacollin: S’po e mbajmë më zor

E publikuar: 12/08/2017 13:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka komentuar ultimatumin e liderit të AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili kishte thënë se nëse brenda 10 ditësh LDK e VV nuk merren vesh për koalicion, atëherë ai mund t’i bashkohet Pan-it.

Gashi në një deklaratë të shkurtër për Gazeta Blic tha se askush nuk është duke e mbajtur me zor Behgjet Pacollin në koalicionin LAA.

“Nuk e vlerësoj hiç këtë far pune, nëse zoti Pacolli e vlerëson se nuk duhet me kanë në koalicion, ne s’jem tuj e mbajt me zor”, tha shkurt për Gazeta Blic, deputeti i LDK-së.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se deklarata e Behgjet Pacollit nuk do të merret si ultimatum.

Ai tha se kjo deklaratë e Pacollit duhet të shihet si ide e tij për krijimin e një qeverie gjithspërfshirëse.

Të hënën, ndërkaq nga ora 10:00 do të vazhdoj seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, PAN ka theksuar se nuk do të marrë pjesë as në këtë seancë.