Gashi: Kosova është shndërruar në një vilajet të Turqisë

E publikuar: 07/02/2019 14:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas gjetjes së 31 shkeljeve në rastin e ekstradimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e këtij rasti kanë kërkuar të merren masa ndaj presidentit Hashim Thaçi. Ata theksojnë faktin se presidenti nuk kishte pranuar të raportojë para Komisionit megjithëse i ishin bërë tri ftesa. Edhe njohësit e çështjeve të të drejtave të njeriut thonë se shteti i Kosovës gjatë dëbimit të shtetasve turq ka bërë shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa përgjegjës për këto shkelje vlerësohet presidenti Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, shkruan Gazeta “Zëri”. 

Avokati Tomë Gashi ka thënë për “Zërin” se nuk është dashur të pritet raporti i Komisionit Hetimor, por që hetimet të niseshin qysh në fillim. Ai ka thënë se shpreson që Zyra e Prokurorisë Speciale ta gjejë përgjegjësin për këtë rast.

“Nuk është dashur as të pritet raporti i Komisionit Hetimor nga Kuvendi i Kosovës që rasti të shkojë në Zyrën e prokurorit special të Prishtinës për shkak se vetëm në bazë të asaj që është ditur dhe nga pamjet që janë treguar nga dëbimi i gjashtë turqve për shkaqe politike, ku janë dërguar në shtetin ku dihet se çfarë keqtrajtimesh do të kenë, është dashur që qysh prej fillimit hetimet të nisin zyrtarisht nga Policia e Kosovës, por edhe nga Zyra e prokurorit special të Kosovës, sepse kemi të bëjmë me dëbim të kundërligjshëm, pa respektimin e asnjë ligji të Kosovës dhe pa respektimin e Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë ai.

Pas rastit të dëbimit të shtetasve turq Gashi ka vlerësuar se Kosova është shndërruar në një vijalet të Turqisë.

“Përveçqë Erdogan sillet në mënyrë diktatoriale, duket që ndikimi i tij është jashtëzakonisht i madh në Kosovë dhe në Shqipëri e posaçërisht Kosova është shndërruar në një vijalet të Turqisë sikur të ishim ende në okupimin osman. Erdogan sillet më shumë si të jetë kryetar në Kosovë e jo që është president i një shteti tjetër”, ka thënë ai. /ZERI