Gani Geci: Unë s’kam marrë kërcënime, familja është alarmuar nga mediat

E publikuar: 24/09/2018 23:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci, është deklaruar personalisht, pasi familja e tij lëshoi një deklaratë në mbrëmjen e së hënës, nëpërmjet së cilës alarmoi se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjoja po e përgatit vrasjen e tij.

Përmes kësaj deklarate, familja Geci ka kërkuar nga Policia e Kosovës, dhe nga bashkësia ndërkombëtare, që të mos lejojnë të ndodhë një vrasje në familjen e tyre, në të kundërtën ata do t’i përgjigjen në të njëjtën formë Thaçit.

Por, gjatë emisionit “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, Geci ka thënë, nëpërmjet telefonit, se personalisht nuk ka marrë kërcënime nga askush.

Ai ka treguar se familja e tij ka lëshuar deklaratën e sotme, pasi ka lexuar nëpër media të ndryshme se gjoja ai është i rrezikuar.

Geci ka thënë në T7 se ai nuk e di se nga kush mund të jetë i rrezikuar.

Më herët, Policia e Kosovës ka deklaruar se nuk ka pranuar kërkesë për mbrojtje nga familja Geci nga Llausha e Skenderajt.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë se zyrtarisht nuk kanë pranuar kërkesë nga familja Geci për mbrojtje.