Gani Dreshaj i AAK-së: Votuesit e LDK-së po duan ndryshim në Istog

E publikuar: 02/11/2017 22:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i AAK-së për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj ka thënë se ka pritur rezultat më të mirë nga raundi i parë i zgjedhjeve për kryetar edhe pse ka marrë 35 për qind të votave dhe ka dërguar LDK-në për herë të parë në balotazh.

“Kam pritur rezultat edhe më të mirë, por jam i kënaqur”.

“Qytetarët po duan ta bëjnë një ndryshim. E kam marrë barrën, kam potencial e kohë për të punuar më shumë”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.

“Nuk mendoj që nëse ndërrohet kryetari ndërrohet bastioni. Ideja në Istog është që të ndërrohet qeverisja”.

“Në Istog nuk ka pasur parti që ka bërë gjashtë mijë – shtatë mijë vota”, ka thënë Dreshaj.

“Edhe votuesit e LDK-së po duan ndryshim”.

Dreshaj ka thënë se ka mundësinë për ta zhvilluar Istogun pasi ka mundësinë për të sjell atje investitorë të huaj.

Uji dhe kanalizimi:

Dreshaj ka thënë se Istogu ka probleme me ujë dhe kanalizim.

“Pika e parë është se do të merren me ndërmarrjen e ujit”, ka thënë ai.

Por Dreshaj gjatë debatit në Magazina Lokale ka pasur rast kur ka pranuar se kryetari aktual Haki Rugova ka bërë edhe punë të mira.

“Nuk është Istogu pa rrjet nuk mund ta mohoj këtë. Por nëse menaxhohet më mirë, do të ketë ujë të mjaftueshëm. Istogu ka mundësi, kemi firma por i duhet edhe pak punë vullnetare”.

Më tej ka thënë se probleme kjo komunë ka me ujëra të zeza.

“Te ujërat e zeza kemi kiamet punë. Edhe puna që është kryer, duhet hapur kanalet për t’i fiksuar problemet. Është sëmundje e politikës në Kosovë që punët kryhen vetëm në dy muajt e fundit të fushatës. Ka mundësi për të punuar më shumë”.

“Nëse Rugova do të punonte mirë, do ta votonte LDK përsëri, por edhe unë do ta votoja. Çështja e gypave është pak e pahijshme në mes të fushatës, pasi po biem keq si politikanë. Pas zgjedhjeve do të punojmë dorë për dore. Ju kam thënë të gjitha partive, jemi të një qyteti të një barku dhe kemi nevojë të punojmë së bashku”, është shprehur ai.

Rrugët dhe parkingjet:

“Nuk mund ta kritikojmë kryetarin Rugova për rrugët, sepse ka mjaftueshëm rrugë të shtruara”.

“Por ka mungesë të trotuareve. Kemi fshatra që as në New York nuk ishte shtuar asfalt për ato shtëpi që ekzistojnë nëpër zona të caktuara. Kemi hapësira për t’i zgjeruar rrugët dhe për të shtruar trotuaret”, është shprehur ai ndër të tjera.