Gagica: LDK’ja do ta mbijetojë diktaturën

E publikuar: 01/03/2016 23:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hafija Gagica, njëri nga udhëheqësit me stazhin më të gjatë të LDK-së në diasporë ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në LDK.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, ai e ka sulmuar kryetarin e kësaj partie dhe kryeministrin e vendit, Isa Mustafa.

Ai ka thënë se “LDK-ja do ta mbijetojë diktaturën dhe degradimin e vlerave të saja historike”.

Ky është postimi i tij:

Lidhjes Demokratike të Kosovës në përgjithësi, dhe strukturave të saja udhëheqëse, në veçanti, që disa vite i është mbyllur fusha e veprimit dhe e afirmimit të vlerave të saj burimore dhe historike !

Logjika konfliktuoze e grindavecëve dhe përçarësve brenda saj, sipas perceptimit snobist, se udhëheqësi, është vetë shteti, e ka sjellë LDK-në në plaçkë për pazare politike dhe interesa personale !

Njerëzit anëtarë të Lidhjes Demokratike kanë kontribue pa asnjë hezitim dhe veprojnë pa ndërpre për një Kosovë demokratike, të zhvilluar ekonomikisht, pa korrupsion dhe krim të organizuar, kanë punue për shtet ligjor dhe të përparuar.

Anëtarët e Lidhjes Demokratike, Kosovën e shohin mbi çdo interes personal dhe grupor, e jo ta mjelin për interesat e tyre personale, grupore dhe familjare!

Tani është koha për brezin e ri, i cili nuk ka ngarkesa nga e kaluara dhe që vepron konform rrethanave të kohës, e jo me logjikën e mbrapsht komuniste, ku udhëheqësi është shteti dhe vetë partia.

Në vend të reflektimit dhe hapjes së rrugës, po provohet me prodhue armiq të brendshëm, logjikë sunduese komuniste!

Të drejtën e mendimit ndryshe, lirinë e fjalës dhe mendimit të lirë, nuk ka forcë dhe diktator i cili mund t’i mbytë këto vlera të demokracisë, e lere më politikanët e dobët që përmes pushtetit bëhen të guximshëm për t’ia imponue popullit diktaturën dhe nënshtrimin përulës, deri në degradimin total të shtetit dhe të shoqërisë..!?