Gabimet me krizën e Greqisë

E publikuar: 18/07/2015 22:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

KLODIAN MUÇO

Nëse unë kam një borxh prej 1000 eurosh kam vërtet një problem të madh, nëse kam një borxh prej 330 miliardësh euro, atëherë problemin tashmë nuk e kam më unë po kreditori im. Në aparencë unë edhe mund të qesh me situatën, në fund të fundit çfarë mund të bëj? Sigurisht kreditorët e mi përballë kësaj situate jo vetëm që nuk kanë dëshirë të qeshin, por kërkojnë mbi të gjitha nga unë se si kam menduar ta paguaj këtë borxh.

Para se t’i përgjigjem pyetjes se si mendoj se paguhet ky borxh doja të shpjegoja pak se pse ky borxh kaq i lartë, çfarë ndodhi realisht në Greqi në periudhën 2010-2015 dhe çfarë efektesh patën masat që u ndërmorën duke marrë në konsideratë këshillat e Trojkës.

Si pasojë e krizës financiare botërore por jo vetëm, Greqia në tetor të 2009-s deklaroi se në vitet pararendëse kishte pasur një rritje të deficitit, duke dhënë kështu alarmin e parë mbi qëndrueshmërinë e sistemit financiar vendas e duke shkaktuar jo pak probleme në marrjen e huave nga tregjet financiare ndërkombëtare.

Në fillimin e vitit 2010, Greqia filloi t’i afrohej çdo ditë e më tepër default-it, i cili mund të shkaktonte një krizë të re financiare për vendet e Eurozonës por jo vetëm. Për të evituar këtë “katastrofë” Trojka (FMN, BQE dhe KE-ja) ndërmori një plan shpëtimi prej 240 miliardë eurosh për Greqinë, ku kjo e fundit duhet të ndërmerrte një sërë masash drastike, austerity, si rritje taksash, shkurtime nga puna, luftë ndaj evazionit fiskal. Këto masa, sipas Trojkës, ishin të mjaftueshme për të pasur llogaritë publike në rregull, po ashtu do të rrisnin fluksin e investimeve të huaja dhe do nxisnin rritjen ekonomike dhe uljen e papunësisë.

Edhe pse Greqia “tentoi” të aplikonte me përpikëri këshillat e Trojkës, rezultatet ishin shkatërruese si nga pikëpamja ekonomike po ashtu edhe ajo humane.

Sipas të dhënave të Eurostatit të shkurtit 2015, papunësia në Greqi ishte më e larta në të gjithë Europën, ajo kaloi në mbi 25%.

Numri i femrave që shisnin trupin me një çmim shumë qesharak sipas një studimi të 2015-s kaloi nga 5000 që ishte para krizës në mbi 25000 aktualisht e mbi të gjitha dominonte mosha shumë e re.

Raporti borxh publik/GDP kaloi në 172% edhe ky raport është një rekord negativ që e mban përsëri Greqia e që është shumë “larg” nga vendet e tjera.

Raporti deficit/GDP kaloi nga 3% që duhet të ishte në 12%.

Nga 2008 deri në 2014, GDP-ja e Greqisë ka rënë me 25% e vazhdon në rënie edhe në ditët e sotme. Edhe në periudhën e Depresionit të Madh, SHBA-ja edhe pse kishte një rënie të ngjashme, pas 4 vitesh ekonomia filloi të rimëkëmbej, kurse Greqia siç edhe e përmenda më lart, edhe sot pas më tepër se 6 vitesh nuk ka as gjasa të rimëkëmbet. Kjo rënie është shoqëruar edhe me një tkurrje të depozitave bankare, të cilat kanë kaluar nga 250 miliardë që ishin në mesin e 2010 në 138 miliardë në fillimin e 2015. Po ashtu pati një shkurtim drastik të shpenzimeve publike.

Sipas nobelistit në ekonomi, Paul Krugman, ekonomia greke ka rënë edhe nga masatausterity që kanë ulur rëndshëm të ardhurat fiskale. Kjo rënie sigurisht që nuk është problemi kryesor që çoi vendin në krizë, megjithatë është një faktor që nuk ka kontribuar për ta nxjerrë atë nga kriza. Pa harruar këtu edhe faktin që duke mbajtur një monedhë të fortë si euro, për një vend në krizë është jo pozitive, monedha duhej të zhvlerësohej sado pak si për të ndihmuar eksportet, si për të ndihmuar turizmin. Ky i fundit së bashku me sektorin e shërbimeve që konsiderohen si sektorë primarë të ekonomisë greke, vetëm në dy vitet e fundit i kanë “kushtuar” vendit një rënie prej 15% të ardhurave.

Duke parë situatën në të cilën ndodhet Greqia e duke parë efektet e politikave austerity, që patën në Greqi dhe efekte të ngjashme që kanë pasur në shumicën e vendeve ku janë aplikuar, ekonomisti i Bostonit, James Galbraith, e quajti Trojkën hipokrite dhe aspak koherente, kurse nobelisti tjetër i ekonomisë, Joseph Stiglitz shkoi edhe më tutje duke thënë se Greqia në të tilla kushte më mirë të dalë nga zona euro sesa të vazhdojë në këtë mjerim të pafund.

Sigurisht një Grexit do të shkaktonte një shok financiar global i cili do ishte edhe më fatal se defaulti i Lehman Brothers, për Eurozonën. Po ashtu, me siguri nëse Greqia dilte nga Eurozona do të kishte një risk shumë të madh “infektimi” edhe për vendet e tjera. Gjithashtu përveç krizës që do të kalonin qytetarët e vet ajo nuk do ishte më në gjendje të paguante borxhin kreditorëve të vendeve si Italia, që është kreditori i tretë pas Gjermanisë e Francës, me një shumë prej 45 miliardësh eurosh do të kishte probleme serioze që mund ta çonin edhe këtë të fundit në të njëjtën rrugë që mori Greqia. Pra, mund të ndodhte efekti domino që do çonte deri në një shpërbërje të BE-së.

Varoufakis, që përveçse ishte ministri i Financave, është edhe një ekonomist shumë i mirë, duke marrë në konsideratë efektet e shkaktuara nga austerity dhe efektet që mund të shkaktonte Grexit-i jo vetëm për Greqinë, por edhe për Eurozonën, kërkoi me të drejtë një plan konkret të zgjidhjes së këtij problemi të madh dhe jo një shtyrje të problemit në kohë.

Ai thoshte se për të nxjerrë Greqinë nga kriza dhe për të kthyer borxhin janë të kota masat shtrënguese që përkeqësojnë situatën dhe rrisin vuajtjet e qytetarëve.

Nevojitet me çdo kusht të kemi rritje ekonomike, vetëm kështu do jemi në gjendje të paguajmë borxhin.

Sigurisht Varoufakis nga kjo histori nuk nxirrte të pafajshëm politikanët e së kaluarës greke. Ku në 30 vitet e fundit, sipas tij, në Greqi kishte një përgjysmim të punësimit në industri dhe një përgjysmim të kontributit të këtij sektori në GDP.

80% e GDP-së vinte nga konsumi dhe 70% e popullsisë e siguronte këtë konsum nga sektori i shërbimeve. Pra, ekonomia po rrënohej dita-ditës ndërsa politikanët në vend që të preokupoheshin për këto probleme, merrnin konsensus politik me anë të një rritje të borxhit publik.

Duke parë situatën aktuale lind natyrshëm pyetja: shtimi i borxhit përfshirë këtu edhe këtë të korrikut prej 82-86 miliardë eurosh, do ta nxjerrë Greqinë nga kriza? Vallë a ka një shpëtim për Greqinë?

Sipas FMN-së, problemi kryesor i Greqisë është evazioni fiskal nga i cili shteti humbet rreth 30 miliardë euro në vit taksa, rreth 10% të GDP-së. Këtij evazioni i duhet shtuar rreth 27% e GDP-së që, sipas disa analistëve, i kontribuohet ekonomisë së zezë. Pra, rreth 37% e ekonomisë greke i eviton komplet taksat plus kësaj rreth 80% e shpenzimeve të shtetit shkonin për pensione dhe rroga të sektorit publik, ku këta të fundit ishin mbi 500 mijë.

Sigurisht ulja e evazionit dhe e ekonomisë së zezë do të ishte një hap shumë i madh drejt zgjidhjes së krizës, megjithatë politikat austerity kanë një kontribut negativ në uljen e evazionit dhe ekonomisë së zezë. Për të ulur evazionin dhe ekonominë informale shpesh janë më efikase ulja e taksave sesa e kundërta.

Për sa u përket paketave të borxhit dhe impaktit të tyre në rritjen ekonomike ka shumë pak transparencë dhe konfuzion shifrash, megjithatë mund të thuhet gjithsesi se në periudhën 2010-2012, rreth 70% e borxhit të marrë nga Greqia shkoi për të paguar kreditorët në periudhën afatshkurtër, për të zëvendësuar borxhin privat me borxh publik dhe për të kapitalizuar bankat. Vetëm 30% shkoi për qeverinë greke.

Ndërsa në transhin e fundit të borxhit të dhënë Greqisë në javën e kaluar, sipas Wall Street Journal, 12 miliardë euro do të shkojnë deri në mes të gushtit për pagesa urgjente për këstet e papaguara. 23.5 miliardët e para të arkëtuara nga privatizimi i aseteve do të shkojnë për të rimbursuar FMN dhe BCE, 12.5 miliardë do të shkojnë për të ulur borxhin grek, 14 miliardë do të shkojnë për të kapitalizuar bankat greke dhe vetëm 12.5 miliardë do të shkojnë për investime. Pjesa e ngelur e borxhit i dhënë në korrik Greqisë, do të shkojë përsëri për rikapitalizimin e bankave (11 miliardë euro) dhe pjesa e ngelur 22.5 miliardë do të shkojë për investime në ekonominë greke.

Për të konkluduar mund të themi se Greqia sot vuan shpërdorimet e së kaluarës dhe masat shtrënguese aktuale që as nuk kanë pasur efektet e pritshme, as nuk kanë gjasa të kenë në të ardhmen. Po ashtu Shqipëria, duke parë se ka një GDP të ngjashme me atë të Greqisë, të bazuar në rreth 75% konsum e ku ky konsum vjen në masën 63% nga shërbimet. Duhet të marrë masa konkrete urgjente për ristrukturimin e ekonomisë, për të mos u gjendur në të ardhmen në të njëjtat kushte si Greqia sot. Po ashtu, duke pasur parasysh efektet e borxhit publik në Greqi, do të ishte mirë që Shqipëria ta përdorte sa më pak e të mos e shtonte dita-ditës, siç ka ndodhur në 5-vjeçarin e fundit.