Gabimet ekonomike të Qeverisë

E publikuar: 18/09/2015 20:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazmend A. Abrashi

Secili prej nesh pret që qeveria e drejtuar nga një ekonomist të ketë performancë të mirë ekonomike.
Mirepo kjo nuk po ndodh! Madje, qeveria aktuale deri tani ka marrë vendime kryesisht frenuese për ekonominë e vendit.
Teoria ekonomike sugjeron që investimet të financohen përmes borxheve dhe jo taksave.
Në fakt, qeveria po i aplikon të dyjat:
(a) përmes huave – tani nga Banka Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH) prej afro 40 milionë euro kurse pak muaj më herët nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në vlerë prej 147 milionë euro – si dhe
(b) nga ndryshimi i TVSh-së që rritë për disa dhjetëra milionë euro prurjet nga taksat në buxhetin e shtetit.
Arsyetimi për huanë e FMN-së është që përmes saj të financohen investime që do të gjenerojnë punësim. Përveç faktit që FMN nuk jep grant por hua, cka do të thotë borxh që do e paguajnë të rinjtë, është e paqartë natyra e projekteve në të cilat qeveria do të investojë.
Deri më tani, këto nuk janë bërë plotësisht transparente. As interesi i borxhit marrë FMN-së nuk dihet.
Që të mbulojë kostot e veta, institucionit i mjaftojnë 0.9%, interesat dhe kushtet tjera janë objekt negociimi dhe unë dyshoj që qeveria ka pasur kohë, dije dhe energji të negociojë siç duhet.
Mbyllja relativisht shpejtë e ujdisë, sinjalizon se rezultati i negociatave nuk është në favorin tonë.
Duhet theksuar këtu se FMN ka bërë 2 miliardë e gjysmë euro fitim nga huatë e dhëna gjatë krizës së Greqisë. Mirëpo Greqia nuk kishte rrugëdalje tjetër, Kosova ka. Borxhi publik i Greqisë shkon në 170 % të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), kurse borxhi publik i Kosovës variron në vite nga 5.5% deri në 9 % të GDP-së. Në kushte të tilla, qeveria ka pasur komoditetin të negocionte kushtet e kredisë në të mirë të qytetarëve.

Tjetër, ministria e Financave jep si arsye për huatë financimin e projekteve kapitale që gjenerojnë vende të reja pune (veçanërisht në marrëveshjen me FMN-në që është më e përgjithshme). Edhe këtu një pikëpyetje e madhe?
Kosovës i duhet një rritje prej së paku 4% që të krijojë vende të reja pune dhe asnjë nga masat e marra deri më tani nuk çon në këtë drejtim, së pari, sepse projeksionet tregojnë se Kosova do të ketë një rritje prej vetëm 3% këtë vit, së dyti sepse historiku i deritanishëm i investimeve tregon për para publike të hedhura në infrastrukturë.
Duke qenë se tenderat e mëdhenj janë fituar kryesisht nga kompani të huaja, raporti investim publik – vende të reja pune ka qenë minimal. Shumë pak vende pune janë krijuar, kryesisht sezonale, kurse kemi parë eksod të eurove nga vendi ynë për tek kompanitë fituese me pronësi te huaj. Shtoja gjendjes faktin që Kosova nuk emeton euro, atëherë situata bëhet më e rëndë.
Eshtë një praktikë e preferuar që rrugët dhe hekurudhat të ndërtohen përmes granteve, por tek ne nuk ka gjetur zbatim pasiqë në rast granti, donatori kërkon monitorim shumë të detajuar të shpenzimeve. Fakti që nuk është vepruar kësisoj, sinjalizon se qeveritarëve nuk u konvenon kjo mënyrë por çdo rrugë tjetër që lë vend për keqpërdorime financiare.
Çka e bën më absurd krejt këtë veprim, është fakti se në Kosovë kemi një problem të vërtetë me menaxhimin e parasë publike – për çdo vit , dhjetëra institucione raportojnë suficit! Kjo e bën urgjente nevojën per te mësuar të menaxhojmë, përpara se të huazojmë.
Do t’i shtoja këtij gabimi të parë (mënyrës së kreditimit) edhe dy gabime të tjera qe janë rrjedhojë e së parës: ndryshimin në këtë moment dhe në këto kushte të TVSH-së (me gjasë si rrjedhojë e politikave për kursim të imponuara nga marrëveshja me FMN) dhe sjelljen e tatimorëve.
Janë bërë analiza të shumta në shtyp rreth efekteve të ndryshimit të TVSH-së që në përgjithësi ka marrë kritika nga analistët e ekonomisë.
Unë do ta përmblidhja situatën me një krahasim të thjeshtë: krejtë në kundërshtim nga logjika matematikore, këtu “1+1=3”.
Sa për ilustrim: nëse TVSh për energjinë elektrike është më e ulët, nëse TVSh për drithërat është më e ulët , si shpjegohet që çmimi i byrekut është më i lartë? Këto janë nonsense që kanë mundur të shmangen.
Këtu vij te problemi i tretë: sjellja e tatimorëve.
Nën presionin për të mbushur buxhetin e shtetit, ka një instrukcion shumë të keq të tatimorëve në një sjellje agresive që i trajton bizneset dhe biznesmenët si hileqarë dhe hajdutë. Një sjellje e tillë është tepër e dëmshme. Biznesi është ai që krijon vende pune. Biznesi është ai që gjeneron rritje ekonomike. Biznesi është motori lëvizës në shoqërinë e tregut. Ka mënyra më efikase për t’i kontrolluar bizneset dhe ato lidhen me aplikimin e teknologjive të reja në regjistrim e deklarim si dhe krijimin e një klime te sundimi të ligjit.
G.A.