“Fushata” e PD, Basha: Asgjë nuk ndryshon pa zgjedhje të lira

E publikuar: 09/05/2017 16:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Paralel me Kongresin Elektoral të Socialistëve, demokratët bënë në çadrën e protestës bilancin 4-vjeçar të qeverisë.

“Katër vjet vetëm për veten e tyre duke katandisur Shqipërinë në një vend nga i cili qytetarët duan vetëm të largohen. Kanë varrosur shtetin, kanë ndërtuar shtetin e dështuar, kriminal dhe narko-republikën dhe në këtë mënyrë kanë asgjësuar shpresat e shqiptarëve”, u shpreh kreu i PD, Lulzim Basha.

Në bilancin e Lulzim Bashës, qeverisja e Kryeministrit Rama u barazua me premtimet e pambajtura.

“Ku i ke 300 mijë vendet e reja të punës? Ku e ke shëndetësinë falas? Ku i ke subvencionet për fermerët? Ku i ke legalizimet falas? Këto janë premtimet e Edi Ramës, nuk ka mbajtur asnjë premtim”, vijoi kreu i PD.

Lulzim Basha bëri edhe një bilanc për vete sesa rezultativ ka qenë ai në drejtimin 4-vjeçar të Partisë Demokratike në krahasim me 3 muajt e fundit të protestës.

“Për fat të keq, në 3 vite e gjysmë të kësaj beteje nuk ja kemi dalë, nuk ja kemi dalë të arrijmë as një të dhjetën e fitoreve që ju ja keni dalë në këto 81 ditë”, tha Basha.

Dhe nga kjo, Basha thotë se ka marrë një mësim.

“Edi Rama nuk e njeh gjuhën e argumentimit! Nuk e njeh forcën e arsyes! Ai njeh, respekton dhe do të respektojë vetëm imponimin nga bashkimi qytetar, popullor përmes protestës për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha ai.

Vetë Lulzim Basha ka premtime të mëdha për ulje taksash, rritje pensionesh deri në 25 mijë lekë, shkolla publike me drekë dhe studim të paguar brenda orarit zyrtar të prindërve dhe subvencion 150 milionë euro për fermerët.

Kreu i opozitës premtoi anulimin e koncesioneve në shëndetësi si hapin e parë për gjetjen e fondeve, por sipas tij gjithçka kalon nga zgjedhjet.

“Këto të gjitha janë të mundura nëse ne mundim dhe asgjësojmë kupolën kriminale, nëse pamundësojmë planin e kupolës politike për të vazhduar t’i shërbejë pasurimit të vet dhe pushtetit të vet duke kapur zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës bëri thirrje për pjesëmarrjen e shqiptarëve në protestën e 13 majit, të cilën e konsideroi si një mundësi për t’i dhënë fund paqësisht asaj që e quan “republika e vjetër e padrejtësisë dhe arrogancës”.