OSBE vazhdon fushatën për vetëdijesimin e publikut rreth sigurisë së gazetarëve në Kosovë

E publikuar: 25/06/2018 16:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Misioni i OSBE-së në Kosovë po vazhdon fushatën e vet për vetëdijesimin e publikut rreth sigurisë së gazetarëve, me billborde dhe murale me gazetarë të shquar, të vendosura në mbarë Kosovën.

E nisur në 2017 me spote televizive, fushata adreson sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen gazetarët gjatë punës së tyre dhe ndikimin e këtyre sfidave në punën e tyre. Për më tepër, fushata thekson rëndësinë e gjetjes së autorëve të çdo forme kërcënimi ose sulmi ndaj gazetarëve, në mënyrë që sulmet e tilla të parandalohen në të ardhmen.

“Gazetarët janë të ekspozuar ndaj rreziqeve specifike të frikësimit, kërcënimeve apo sulmeve fizike për shkak të punës së tyre”, tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.

“Në vitin 2017 janë raportuar gjithsej 28 kërcënime ose sulme fizike ndaj gazetarëve. Është e rëndësishme që secili pjesëtar i shoqërisë të kuptojë nevojën për të mbrojtur gazetarët dhe për të kontribuar për një mjedis që respekton lirinë e fjalës dhe lirinë e medias “, tha Braathu.

Billbordet dhe muralet, në shqip dhe serbisht, do të jenë të vendosura nga qershori deri në nëntor 2018.

Si pjesë e kësaj fushate, Misioni po organizon edhe debate televizive mbi sigurinë e gazetarëve dhe tema të ngjashme. Më 22 qershor do ta organizoj një konferencë me përfaqësuesit e institucioneve të sundimit të ligjit, mediat dhe shoqërinë civile mbi standardet ligjore për mbrojtjen e gazetarëve.