Fury: Nëse kam mundur ta mposht depresionin, mund të mposht çdo gjë

E publikuar: 01/12/2018 02:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sa më shumë i afrohemi duelit më të madh të vitit në kategorinë e rëndë në boks mes Deontay Wilderit dhe Tyson Furyt, aq më shumë rriten edhe emocionet dhe ato nuk fshihen as në deklaratat nga vet boksierët.

Për boksierin britanik, ky duel është i rëndësishëm së pari në nivel personal.

Ai kishte periudhë të vështirë duke luftuar me depresionin pasi iu morën të gjithë titujt e fituar, e kështu hoqi shumë peshë për t’u kthyer në formë dhe tash është në mision.

Tyson Fury (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

“Unë jetoj çdo sekondë në kokën e Deontay Wilder. Pa qera. Ka shumë broçkulla që po fluturojnë këndej pari, e unë jam ai që i kontrollon të gjitha. Shumë gjëra mentale”, është shprehur 30-vjeçari.

Pikërisht ky termi se gjëja është “mentale” vjen nga ai, i cili edhe ka luftuar me depresionin dhe ka pasur vështirësi psikike. Duke parë vuajtjet që ka pasur, ndoshta Fury është njeriu i përkryer për të folur për… “mentalen”.

“Gjithë jetën time kam luftuar shumë për të fituar titullin dhe kur e mora, erdhi vrima e madhe e errët e zbrazët. Unë thjesht u ndjeva i vetmuar në botë dhe kaq i pavlerë”.

Tyson Fury (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

“Unë kisha triumfin, paratë, dukjen e mirë dhe eufemizmin. Unë kam mundur të kem gjithë atë që kam dashur me një klikim me gishta të mi. Por, gjithë kohën që kisha gjithçka, kisha asgjë. U ndjeva se gjithçka që kisha bërë në jetën time ishte e pavlerë”.

“Fury ka vetëm një stil: vjen përpara dhe të nokauton. Nëse ai nuk e bën këtë, ai është i humbur. Ai ka shkuar në distancë vetëm një herë në karrierën e tij. Kjo do të thotë se ai është i pa përvojë për nivelin e kampionëve. Unë nuk besoj se ai ka qëndrueshmërinë për ta bërë këtë, energjinë mentale”, ka shtuar britaniku.

Boksieri vlerëson se është boksieri më i mirë i divizionit të kategorisë së rëndë që ka aftësinë të lëvizë shkëlqyeshëm me këmbë. Dhe, Fury sheh ngjashmëri me duelin ndaj Wladimir Klitschkos.

“Stili i Deontay do të më shkojë për dore. Sa më shumë që ai shkon përpara, aq më shpejt do të përfundojë. Sa më shumë që ai dëshiron t’i impresionojë fansat, më shpejt do të humbasë. Ai po ndjen tashmë presion. Ai është në kulmin e presionit përreth meje”.

“Unë nuk duhet të bëj asgjë ndaj Wilderit. Thjesht të jem vetvetja. Unë mund ta kontrolloj veten. Unë jam një njeri me shumë, shumë fytyra. Ai ka një fytyrë, një rrugë. E gjitha është ajo që ai di të bëjë. Por, ai nuk ka aftësinë që të realizojë një nokaut ndaj meje, nuk e ka shkollimin për këtë. Dhe ne të gjithë e dimë se çka ndodh kur nuk vjen nokauti. Të gjithë kundërshtarët e Wilderit ishin të frikësuar prej tij, duke kërkuar një vend në litar për të pushuar”.

“Unë do ta marr fuqinë e tij dhe do ta shfrytëzoj kundër tij. Nëse kam mundur të mposht depresionin, mund të mposht çdo gjë”, ka deklaruar ish-kampioni absolut në kategorinë e rëndë.

Dueli mes Furyt dhe Wilder zhvillohet në Los Angeles në orët e para të mëngjesit të së dielës. /Telegrafi/