Fundi i lojërave të fatit – ATK menjëherë revokoi licencat për të gjitha subjektet

E publikuar: 10/05/2019 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe zyrtarisht sot ka hyrë në fuqi Ligji për Ndalimin e Lojërave të Fatit.

Kjo pasi që kanë kaluar 15 ditë që kur i njëjti është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, shkruan lajmi.net.

Nga sot, ashtu siç e parasheh ligji, asnjë subjekt i lojërave të fatit nuk mund të operojë në Kosovë.

Përjashtim bën Lotaria e Kosovës, e cila do të funksionojë rregullisht.
E institucioni përgjegjës për mbylljen e këtyre lokaleve, Administrata Tatimore e Kosovës është treguar mjaftë e shpejtë në revokimin e licencave për subjektet e lojërave të fatit.

Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Rama në një përgjigje për lajmi.net ka treguar se të gjitha subjekteve të lojërave të fatit u janë revokuar licencat.

Ajo ka bërë të ditur se numri i subjekteve të cilave u janë revokuar licencat është 46, ndërkaq që katër prej tyre marrin sot licencat për revokim.

“Revokimi i licencave ju është bërë të gjitha subjekteve të lojërave të fatit, që në total janë 46, mirëpo prej këtyre 46 subjekteve kanë mbet edhe 4 subjekte që pritet sot gjatë ditës t’i marrin licencat për revokim”, ka bërë të ditur Valentina Bytyqi-Rama.

Ligji i ri për ndalimin e lojërave të fatit u hartua pas dy incidenteve tragjike nëpër kazino, ku të vrarë mbetën dy persona.

Nga njohës të çështjeve ekonomike, është paralajmëruar se ky vendim mund të ketë edhe efekte anësore.

Sipas tyre, me vendimin në fjalë do të mbesin pa punë rreth 4 mijë persona. /