Ftesë me bisht!

E publikuar: 07/12/2015 21:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Faik KRASNIQI
Tregohet se një herë e një kohë, mes gomarit dhe ujkut na plasi një debat i nxehtë mbi ngjyrën reale të barit. Gomarit i ishte tiposur se bari kishte ngjyrë të verdhë dhe nuk bënte asnjë lëshim për këtë. Sakaq, ujku nga ana e tij besonte se bari kishte ngjyrë të gjelbër. “Që bari ka ngjyrë të verdhë këtë e di gjithë mileti!” thoshte gomari i vendosur. “O veshgjatë, bari është i gjelbër!” i përgjigjej ujku po aq i vendosur. Debati mes tyre nuk kishte fund. Sa herë që takoheshin e ndaheshin, muhabeti i vetëm ishte ngjyra e barit. “Po përse nuk shkoni tek mbreti i pyllit e t’ua ndajë këtë mesele?”- u sugjeruan disa kafshë të cilave me sa duket u kishte ardhur në majë të hundës debati mes ujkut e gomarit. “Shkojmë?”- thanë njëzëri gomari e ujku dhe u drejtuan për tek mbreti i pyllit. Pasi i treguan mbi konfliktin e tyre, mbreti i pyllit uli kokën, u mendua pak dhe u tha:”Kjo çështje kërkon kohë dhe një seancë gjyqi më vete. Prandaj hajdeni nesër në mëngjes herët që ta ndaj njëherë e mirë këtë punë!” Atë natë, si gomari dhe ujku panë ëndrra mbi drejtësinë e luanit, mbretit të tyre. Të nesërmen në mëngjes filloi seanca gjyqësore. Luani i dëgjoi me durim si ujkun, ashtu dhe gomarin. Të gjithë kafshët e tjera prisnin me padurim zërin e drejtësisë. Në fund, luani u ngrit në këmbë dhe deklaroi vendimin përfundimtar duke zhgënjyer pothuajse të gjithë kafshët, përveç gomarit: “Ujku do të dënohet me punë të detyrueshme një muaj!” Gomari i këputi një të pëllitur saqë shurdhoi të gjithë sallën. Mandej doli me të katra jashtë. Pasi dolën pothuajse të gjitha kafshët, ujku iu afrua luanit dhe i tha:”Lartmadhëria juaj! A nuk më thoni çfarë ishte ai vendim arbitrar? Përse më dënoni kaq rëndë, për një fakt që e dinë të gjithë? A nuk është bari i gjelbër lartmadhëria juaj?” Luani iu përgjigj:”Sigurisht i dashur ujk. Unë nuk thashë se bari nuk është i gjelbër.”Ujku e pyeti i hutuar:”Po përse më dënuat atëherë?! Unë s’kam bërë asnjë gabim!”Luani iu përgjigj:”Vërtet që nuk keni gabuar në ngjyrën e barit, ama keni gabuar rëndë që kur keni pranuar të debatoni dhe polemizoni me një hajvan si gomari! Prandaj vendosa të dënohesh me punë të detyrueshme për një muaj që të nxësh mend e të mos merresh me hajvanë të pamend

Cilat janë mesazhet për politikën kosovare?

Mesazhet e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, ishin mesazhe shumë të qarta për lidershipin dhe klasën politike në Kosovë, ku kërkoi bashkëpunim e kompromis mes pozitës e opozitës, për të gjitha mospajtimet dhe daljen sa më të shpejtë nga kjo krizë dhe bllokadë politike. Presioni i madh publik dhe politik, e sidomos pas vizitës të sekretarit amerikan, John Kerry, që është bërë ndaj kryeministrit, ka rezultuar me këtë ofertë bërë partive opozitare për dialog, por konsideroj se është e vonuar dhe është dashur të bëhej që në fillim të krizës.

Por, kryeministri Mustafa para se t’u dërgojë ftesë partive opozitare për dialog, pikësëpari është dashur menjëherë t’i lirojë nga burgu deputetët e opozitës, t’i kërkojë falje publike opozitës për dhunën e ushtruar ndaj tyre dhe arrestimin e deputetëve, e sidomos pas sulmit bizar dhe dhunës të ushtruar në selinë e VV-së, në mënyrë që t’i tregojë opozitës se oferta e tij është me të vërtetë serioze. Dhe njëkohësisht edhe ta ndëshkojë zyrtarin e saj, për deklaratën e tij poshtëruese dhe nxitëse, kur veprimet e opozitës i cilëson me metodat e organizatës terroriste ISIS, por ndëshkimet të vlejnë për çdo zyrtar qeveritar që bëjnë deklarata të pamatura, në këtë situatë të nxehtë politike, që vetëm e tensionojnë situatën akoma më shumë. E pakta që duhet të bëjë z. Abrashi, është kërkimfalja publike ndaj opozitës. Sidoqoftë, oferta e kryeministrit Mustafa bërë partive opozitare për dialog, nuk është fare serioze, kryesisht e thatë dhe e bërë vetëm sa për sy e faqe, sepse ajo është dashur të jetë më e detajuar sa i përket formatit të dialogut dhe mënyrës së ballafaqimit të argumenteve, pushtet-opozitë. Pra, nuk është dashur të ketë kufizime paraprake, në mënyrë që të krijohet një hapësirë që opozita t’i paraqesë argumentet e saj edhe para ekspertëve ndërkombëtarë që pritet të jenë pjesë e ndërmjetësimeve.

Këmbëngulja për Asociacionin dhe Demarkacionin!

Në rast se Qeveria dhe kryeministri Mustafa, prapë këmbëngulin që domosdo do t’i zbatojnë marrëveshjet, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi, që në këtë formë të zbatimit të tyre janë shumë të rrezikshme për sovranitetin dhe tkurrjen e territorit të Kosovës, atëherë opozita e bashkuar s’ka pse të bisedojë me pushtetin për këto gjëra që kanë për qëllim dëmtimin e Republikës, por t’i kundërshtojnë fuqishëm ashtu siç i kanë kundërshtuar deri më tash, sepse e kanë përkrahjen edhe të popullit që këto marrëveshjeve mos të jetësohen.

Zgjidhja më e mirë do të ishte që me punën e Demarkacionit me Malin e Zi, mos të merret politika, sepse politikanët nuk janë ekspertë në atë lëmi, por t’ua lëmë në dorë ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, në mënyrë që mos të humbim territor tonin, pasi sipas pjesës dërrmuese të demografëve kosovarë, Kosova rrezikon të humbasë mbi 8200 hektarë tokë.

Kurse sa i përket krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të kthehet në rinegocim në Bruksel, sepse në këtë format me gjithë ato kompetenca ekzekutive, dhe duke njohur apetitet e Serbisë, ky Asociacion pas disa vjetëve mund të na rrëshqas nga dora dhe ajo pjesë e territorit të Kosovës të na grabitet nga Serbia, ose do të na shkaktonte gjithmonë probleme në funksionimin e shtetit, prandaj pse të kemi gjithmonë probleme të brendshme me pakicën serbe të dirigjuar nga Beogradi, kur kemi mundësi që këto gjëra t’i zgjedhim gjatë bisedimeve në Bruksel. Këtë gjë e tha edhe Ulrike Lunaçek, që pala kosovare s’ka pse të zbatojë ndonjë marrëveshje që nuk e dëshiron populli, por që njëkohësisht edhe rrezikon sovranitetin e Kosovës, dhe çdo marrëveshje që konsiderohet e dëmshme për njërën ose tjetrën palë, mund të rikthehet për rinegocim në Bruksel. Ajo madje fajësoj palën kosovare, që nuk vë kushte gjatë bisedimeve.

Me gjithë ato të drejta që kanë serbët në Kosovë, që asnjë pakicë në botë nuk i ka, thuajse kanë më shumë të drejta se edhe vetë ne shqiptarët që jemi mbi 96% të popullsisë së Kosovës, nuk ka pasur nevojë të krijohet një Asociacion i tillë për serbët, por i gjithë faji është tek lidershipi i shantazhuar kosovar, që kanë pranuar një gjë të tillë, e si reciprocitet ndaj Serbisë, të njëjtën gjë nuk e kanë kërkuar edhe për shqiptarët në Kosovën Lindore.

As 40% e shqiptarëve në Maqedoni, që me marrëveshjen e Ohrit janë komb shtet-formues, nuk kanë një Asociacion, madje nuk i kanë as 5% e të drejtave që i kanë serbët në Kosovë, e mos të flasim për shqiptarët në Kosovën Lindore dhe Mal të Zi, që sistematikisht janë të shtypur dhe të diskriminuar nga pushteti serb dhe ai malazez. Këto gjëra po na ndodhin, sepse kemi një pushtet dhe politikanë të shantazhuar, që bëjnë lëshime në dëm të interesave të Kosovës, vetëm e vetëm mos të ndëshkohen nga Bashkësia Ndërkombëtare, për krimet e tyre të bëra në Kosovën e pasluftës, por edhe me çdo kusht që të ngelin në pushtet.