Frika nga drejtësia, të paktën 10 veteranë të rrejshëm largohen vullnetarisht nga listat

E publikuar: 20/11/2019 15:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykatat e Kosovës i kanë shpeshtuar dënimet për personat që në emër të luftës së UÇK-së, morën fonde si veteranë pa qenë fare pjesë e kësaj force.

Vetëm sot, Gjykata e Pejës ka shqiptuar dy dënime me burg dhe gjobë për dy të akuzuar për veprën e lartëcekur penale, ku të pandehur ishin një grua dhe një burrë.

Gati 20 mijë persona dyshohet se janë futur jashtëligjshëm në listën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga ku ata i kushtojnë dëme të mëdha buxhetit të shtetit.

E ky numër nga dita në ditë po shkon duke u zvogëluar.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Faik Zogaj po thotë të ketë nisur një iniciativë që t’i bindë të largohen nga listat, personat të cilët nuk e meritojnë statusin e veteranit.

Ai thotë se deri tani, nga listat janë larguar gjithësej 6 persona me vetëdëshirë.

“Ne kemi filluar fushatën për t’i larguar nga listat për shkak se e kemi pritur prokurorinë që 3 vite. Fushatën e kemi nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, me qejf dhe jo më dhunë ta bindim edhe personin e gjashtë. Në këtë muaj pra gjashtë persona janë larguar vullnetarisht. Sonte besoj që edhe personi i shtatë të bindet për t’u larguar. Këtu na ka dhënë mbështetje edhe Prokuroria e Pejës. Pra për të shpëtuar nga ndjekja penale ata po largohen vetë”, ka thënë Zogaj për lajmi.net.

Zogaj po ashtu ka thënë se personat që do të largohen nga listat e veteranëve, nuk do ta ngarkojnë më buxhetin e shtetit.

Mirëpo, buxhetit të shtetit i shtjerren mjaftë para edhe nga numri aktual i veteranëve.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, llogaritet se 40 milionë euro janë shpenzuar për këtë kategori.

Dukurinë e heqjes vullnetare nga lista e veteranëve po e përshëndesin edhe nga OVL e UÇK-së.

Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, për lajmi.net thotë se është për t’u përshëndetur një iniciativë e tillë, ngase sipas tij kjo do të thotë se ata persona të cilët po largohen vullnetarisht kanë nisur të vetëdijësohen.

“Unë e përshëndes së pari punën e këtyre zotnive që po largohen në mënyrë vullnetare. Sepse kjo do të thotë se ata janë vetëdijësu. Po ashtu vendim i mirë është edhe ai i gjykatës dhe prokurorisë që deri më tani i kanë larguar mes 1 mijë e 300 e 1 mijë e 400 emra”, ka thënë ai.

Gucati në fund ka bërë të ditur se edhe në organizatën ku ai është kryetar, për t’u larguar vullnetarisht nga lista janë paraqitur gjithësej katër persona, e që në total, bashkë me personat e tjerë për të larguar numri shkon në 10.

Pikërisht për çështjen e fryerjes së listave të veteranëve të UÇK-së, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër 12 personave, pjesë e Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit.